Page 64 - Demo
P. 64
Sipas traditës antike, Iliada dhe Odisea u kompozuan nga poeti i quajtur Homer, i cili konsiderohet emri i parë i letërsisë greke. Homeri, sipas studiuesve, nuk ishte autori i dy poemave: ai më tepër simbolizon veprimtarinë letrare të një kulture të tërë, e cila përgjatë shekujve e ka përpunuar materialin epik që është transmetuar në formë të shkruar deri në ditët e sotme. Madje, janë hedhur edhe dyshime nëse Homeri ka ekzistuar realisht apo jo. Gjithsesi, Homerit nuk mund t’i atribuojmë një veprimtari krijuese në kuptimin e plotë të fjalës për këto vepra, por të reduktuar, ndoshta thjesht redaktuese.HomeriPërkufizimi i veprësNë fakt, tematika e trajtuar nuk është fryt i një përzgjedhjeje personale: është një kulturë e tërë që pasqyrohet në të dyja poemat, me përbërësit e vet religjiozë, civilë, luftarakë dhe institucionet e veta, duke paraqitur një gamë të gjerë të reagimeve individuale ndaj kërkesave të jetës. Jo rastësisht, poemat homerike janë përkufizuar si “libër i kulturës” ku pasqyrohet në mënyrë të përmbledhur një qytetërim i tërë, në hartimin e të cilit mund të ndihet jehona e shumë zërave autorialë të epokave të ndryshme. Çështja homerikePara së gjithash, mund të themi që emri Homer, në mënyrë konvencionale përdoret gjerësisht për t’iu referuar dy poemave. Studiuesit antikë kanë besuar se mund ta rindërtojnë të paktën pjesërisht jetën e poetit.Në fakt, duke filluar qysh prej shek. VI p.e.r., për figurën e Homerit nisën të qarkullonin informacione të shumta biografike. Duke u kufizuar te të dhënat thelbësore, për sa i përket kronologjisë, Herodoti (Historitë, 2, 53), historian që ka jetuar në shek. V p.e.r. shprehte mendimin se Homeri duhej të datohej rreth katërqind vjet para tij, pra në shek. IX p.e.r. Për sa i përket vendlindjes, shumë qytete i kundërviheshin njëri-tjetrit për prejardhjen e poetit; mes tyre, më të besueshmet ishin Kio dhe Smirna. Rreth besueshmërisë së biografive antike mund të themi se, pavarësisht të gjithave, ato janë shprehje e interesave kulturore të caktuara: traditat e ndryshme nuk dëshmojnë asgjë të besueshme mbi Homerin, por thonë shumë rreth momentit kur janë krijuar këto legjenda.Për shembull, sot dimë se kronologjia e dhënë nga Herodoti shkon larg në kohë dhe që, edhe nëse mendohet vetëm për një redaktim të veprës homerike, duhet të zbritet një shekull (nga shek. IX në shek. VIII p.e.r.). Megjithatë, dëshmia e Herodotit është e çmueshme, pasi ai pohon se Homeri konsiderohej një poet antik qysh në shek. V p.e.r. Për më tepër, nëse vendlindja e poetit dëshirohej prej shumë qyteteve, kjo kishte të bënte me faktin se të gjithë grekët kërkonin të bënin të tyren një figurë që për ta ishte simbol i një uniteti kulturor, të cilin, me gjithë ndarjet e tyre lokale, ata ndienin se e kishin. Lajmi se Homeri ishte i verbër respektonte një traditë me vlerë të madhe antropologjike: poeti konsiderohej një profet, parathënës, orakull, i cili ishte i verbër, sepse shihte me syrin e brendshëm. Jeta dhe vepra62

