Page 66 - Demo
P. 66
IliadaIliada është poema e Ilios (e Trojës), e qytetit të vendosur në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël që hyri në luftë me grekët, në një epokë të largët dhe të papërcaktuar në vepër.Një poemë lufte, e cila shpërthen prej fyerjes që Paridi, djali i mbretit të Trojës i bëri mbretit të Spartës, Menelaut. Paridi rrëmbeu Helenën, gruan e Menelaut. Agamemnoni, vëllai i Menelaut, mblodhi një ushtri dhe e udhëhoqi në luftë kundër Trojës.Pjesë e ushtrisë greke ishin heronjtë më të mëdhenj të kohës. Përveç Menelaut vetë, në të morën pjesë: plaku Nestor, mbret i Pilos; i zoti i fjalës, dinaku Odise, mbret i Itakës; Ajaksi i fuqishëm, mbret i Salaminës; luftëtari trim Diomedi, mbret i Etolëve dhe më i forti i të gjithë burrave, Akili, komandanti i Mirmidonëve, i biri i Peleut të vdekshëm dhe i perëndeshës Teti. Pas një rrethimi që zgjati prej dhjetë vjetësh dhe në të cilin vdiqën luftëtari trim Hektori dhe Akili, Troja u pushtua, u shkatërrua dhe banorët e saj u kthyen në skllevër.Poema Iliada nuk rrëfen të gjithë luftën dhjetëvjeçare të Trojës, as përfundimin e saj, sikurse titulli të bën të mendosh. Ajo rrëfen një episod vendimtar, i cili zhvillohet në një periudhë kohe prej pesëdhjetë ditësh, pak para përfundimit të luftës: zemërimin e Akilit për shkak të Agamemnonit, i cili i ka rrëmbyer të burgosurën Briseidë, shumë e shtrenjtë për heroin. Ai vendos të largohet prej fushës së betejës, dhe i kërkon nënës Teti që Zeusi të mbajë anën e trojanëve derisa Agamemnoni dhe ushtria greke të pendohen për fyerjen që i kanë bërë luftëtarit më të fortë. Kështu ndodh: rrethuesit grekë hidhen në sulm, por pësojnë disfata të rënda. Grekët i luten Akilit që të heqë dorë prej vendimit të tij, por ai nuk pranon. Armata greke vazhdon të dëmtohet gjithnjë e më tepër, ndërkohë që ngjarjet marrin një kthesë të paparashikuar dhe përfundimtare. Patrokli, i prekur prej fatit të bashkëluftëtarëve të tij, i lutet mikut të tij Akilit që t’i japë armaturën e vet. Akili pranon, por Patrokli gjatë luftimit vritet nga dora e Hektorit. Kjo është arsyeja prekëse, e cila e shtyn Akilin të kthehet në betejë: dhimbja dhe brejtja e ndërgjegjes, për mikun që vdiq në vend të tij. Kjo dhimbje kthehet në një zemërim të tërbuar për hakmarrje. Zgjedhja e tij është tragjike, pasi ai e di se edhe atë vetë e pret vdekja, nëse kthehet në fushën e betejës, por vendimi i tij është i pakthyeshëm. Fati i Hektorit është shënuar, Akili e vret dhe e masakron kufomën e tij. Ai pranon ta kthejë trupin vetëm atëherë kur plaku i nderuar Priami vjen dhe i lutet në çadrën e tij. Poema përfundon me vajtimin e familjarëve mbi vdekjen e heroit dhe me nderimet e përmortshme të të vdekurit prej trojanëve.Në përmbledhjen e këngëve të paraqitura më poshtë nuk janë përmendur mbledhjet e perëndive dhe shumë prej ndërhyrjeve të tyre të shumta si në beteja, ashtu dhe te njerëzit në përgjithësi, mbledhjet e krerëve ushtarakë apo veprat e guximshme të heronjve të veçantë, si Diomedi (V), Agamemnoni (XI), Patrokli (XVI), Akili (XIX-XXII) etj., dhe as duelet, plagosjet apo vdekjet e luftëtarëve, situata të cilat janë përshkruar me hollësi në vepër.MITET, si forma të thjeshta krijimi, rrëfejnë një ngjarje, dukuri historike apo legjendare në formën e alegorisë. Ato përshkruajnë vende dhe personazhe të mbinatyrshme. Tërësia (përmbledhja) e miteve, quhet mitologji. Mitologji të njohura dhe me ndikim në kulturën botërore janë: vedat indiane, mitologjia greko-romake, mitologjia e aztekëve etj. Mitologjia greko-romake që përfshin mitet e krijimit, të fatit të paracaktuar etj., u bë burim frymëzimi, studimi dhe interpretimi si për letërsinë dhe fushat e tjera të artit, ashtu edhe për filozofinë dhe psikologjinë në fazat e mëvonshme të kulturës botërore. Këto mite tregohen si të ishin të vërteta, por me vende dhe personazhe mbinatyrore, të cilat mund të jenë gjysmënjeri, gjysmëperëndi ose perëndi, por me cilësi njerëzore. Ngjarjet i thyejnë ligjet e natyrës e të kohës, mbartin misterin, të panjohurën etj. Miti grek i krijimit të perëndive është ndër më të lëvruarit në letërsi. Letërsia artistike njeh procesin e rimarrjes së miteve dhe përfshirjen e tyre brenda saj me një funksion të ri. Apolloni64

