Page 82 - Demo
P. 82
Eskili (525-456 p.e.r)Eskili lindi rreth vitit 525 p.e.r, në Eleus. Ishte biri i Euforionit, i cili vinte nga një familje fisnike. Qysh në moshë të re, ai filloi të shkruante për teatrin, si dhe mori pjesë në luftërat kundër persëve në vitet 490 dhe 480. Epigrafi i gdhendur në varrin e tij që, sipas të dhënave të traditës, është kompozuar nga ai vetë, përkujton pjesëmarrjen e tij në betejën e Maratonës, në të cilën dha jetën i vëllai (mendohet që Eskili të ketë marrë pjesë edhe në betejën e Salaminës).Fitorja e tij e parë në konkurset e tragjedisë i përket vitit 484 p.e.r., me një vepër të panjohur për ne. Sipas burimeve, Eskili fitoi trembëdhjetë konkurse athinase gjatë jetës dhe pesëmbëdhjetë të tjera pas vdekjes. Fitorja e fundit sa ishte gjallë i takon “Orestias”, në vitin 458 p.e.r. Më pas, Eskili shkoi në Sicili dhe thuhet që vdiq në Gela, në vitin 456 p.e.r, rreth moshës shtatëdhjetëvjeçare. Të dhëna për veprënNga përzgjedhja e bërë prej gramatikanëve aleksandrinë, u ruajtën shtatë tragjedi të Eskilit, të cilat përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të krijimtarisë së tij. Burimet bëjnë të ditur për një total prej rreth nëntëdhjetë veprash, ku përfshihen tragjedi dhe drama satirike. Prej tyre, kanë mbërritur deri në ditët e sotme fragmente të shkurtra, të cilat, siç dihet, nuk janë përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nëpërmjet burimeve të tjera. Këto fragmente bëjnë të mundur verifikimin e mendimit të përgjithshëm të përcjellë që prej antikitetit, sipas të cilit, Eskili shkëlqente në dramat satirike.Sipas të dhënave, shfaqjet e tij dalloheshin jo vetëm për frymëzimin e lartë, por edhe për madhështinë e aparatit skenik dhe të kostumeve, për përkujdesjen ndaj koreografisë dhe interpretimit të aktorëve. Madje, shpesh ai recitonte edhe vetë në dramat e tij.Në dramaturgjinë e asaj kohe, te protagonisti tragjik shpërfillet hetimi i hollë psikologjik që ndeshet në epokat e mëvonshme. Ky protagonist shfaqet i ngurtësuar në qëndrime të përbindshme e të përcaktuara dhe vetëm me Euripidin ai do të synojë të projektojë në momente të veçanta të ngjarjes, pasionet që herë pas here shfaqen prej tij. Megjithatë, tek Eskili personazhet pasqyrojnë ndryshimin e situatave përmes shndërrimit të matur të qëndrimeve të tyre. Kështu, Klitemnestra, e poshtëruar dhe me plagë, në përfundim të Agamemnonit, është e ndryshme nga ajo e fillimit, që ishte e pushtuar nga etja për hakmarrje. Fati i veprës së EskilitBretkosat e Aristofanit dëshmojnë se rreth fundit të shek. V p.e.r., apo pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, Eskili jo vetëm që vazhdonte të ishte për athinasit simbol i një të kaluare të lavdishme, por mbi të gjitha konsiderohej modeli i tragjedisë së madhe, me gjithë vështirësinë e mjeteve të tij shprehëse.Në shek. IV p.e.r., fati i veprës së Eskilit dukej në rënie, paralelisht me zhdukjen e dramave të tij nga skena. Megjithatë, gramatikanët aleksandrinë e botuan dhe e komentuan veprën e tij, duke e përfshirë në triadën kanonike të autorëve tragjikë (Eskili, Sofokliu, Euripidi), pavarësisht vërejtjeve për sa u përket teprimeve të stilit etj.Jeta dhe vepra80

