Page 83 - Demo
P. 83
Në periudhën e vonë antike, kur u bë përzgjedhja e poetëve dramatikë, Eskili gjendej sërish mes tyre me shtatë tragjeditë e ruajtura, të cilat, përmes kulturës bizantine, mbërritën deri te humanistët europianë në shek. XV.Në perceptimin dhe kuptimin e veprës së Eskilit kontribuoi veçanërisht Prometeu, figura e të cilit u mor si model prej Miltonit te Parajsa e humbur dhe në “poemën dramatike” Samson agonistes. Por, me Gëten (Johann Wolfgang von Goethe) dhe Shellin (Percy Bysshe Shelley), figura e këtij titani rebel hyn dhe bëhet përfundimisht pjesë e mitologjisë simbolike të Europës moderne, duke ngjallur interes të madh për veprën e Eskilit.Por, mbi të gjitha, qe trilogjia Orestia ajo që pati ndikim të madh dhe të vazhdueshëm në kohë, në vepra të ndryshme letrare dhe jo vetëm. Ekzistojnë përputhje mes trilogjisë eskiliane dhe Hamletit të Shekspirit, jo vetëm në temën e birit hakmarrës për të atin kundër nënës dhe të dashurit të saj, por edhe në situata dramatike dhe në gjendjen psikologjike të personazheve. Moria e veprave që u frymëzuan prej Orestias, qe një ndër faktorët kryesorë të njohjes dhe të vlerësimit të veprës së Eskilit. Tipare të dramaturgjisë së EskilitBurimet antike, sikurse e kemi përmendur, ngulmojnë mbi rëndësinë dhe vëmendjen që Eskili u jepte aspekteve regjisoriale dhe skenografike të spektaklit, të konceptuara sipas skemave të një madhështie mbresëlënëse; dhe një prirje e ngjashme vërehet në cilësinë teatrale që shfaqet në skenografinë e dramave të tij. Temat mbi të cilat mund të ushtrohet kjo ide e një teatri madhështor si në përmasat e tij, ashtu edhe në aparatet spektakolare rrokin histori të brezave e fateve të popujve dhe të heronjve, të projektuara në përmasën e kuptimeve universale.Arkitektura e tragjedisë eskiliane përqendrohet në sinkronizma të forta, që mundësojnë rrjedhën e ngjarjeve aq sa është e domosdoshme. Por në të jeta e njerëzve shihet si një tërësi momentesh domethënëse secili në vetvete. Ndodh kështu që në këtë veprim skenik të përkojnë dhe të marrin kuptim e shkuara dhe e ardhmja, kujtimi dhe profecia. Radhitja e lëndës dramatike përsërit prirje të ngjashme të artit figurativ arkaik. Nga ana tjetër, duket se Eskili ka për qëllim ta kapërcejë këtë arkaizëm strukturor përmes organizimit të një vazhdimësie dramatike, të cilën nuk mund ta përjashtojë një teatër tashmë i pjekur.Një funksion vendimtar duket se i jepet korit; ai qëndron së pari në atmosferën dramatike, që ndërmend në çdo moment të tragjedisë, qoftë ngjarjet paraprijëse të hershme, qoftë ato të mëparshme të zhvillimit skenik, si dhe shpjegon zhvillimet që pasojnë përfundimin, përmes efektit të kujtesës dhe të parandjenjës. Por vazhdimësia e dramës i besohet veçanërisht idesë së fundme që shprehet në të. Pas ngjarjes tragjike qëndron një interpretim ekzistencial, shprehja e të cilit i besohet në shumicën e rasteve korit.Ngjarja teatrale përbën mikrokozmosin, në të cilin paraqitet simbolikisht jeta problematike e njerëzimit; dhe fjala është mjeti i saj shprehës. Realiteti ka për intrigë një të fshehtë të pazbulueshme, enigmën e hyjnisë; dhe historia e njeriut është tensioni për ta zbuluar atë. Në polaritetin e këtij raporti qëndron çelësi i fundmë i stilit të Eskilit, që ka për qëllim të pasqyrojë realitetin problematik edhe në përmasën e gjuhës. Sikurse çdo aspekt i përvojës bazohet në kontekste të ndryshme ku ai shfaqet, po kështu çdo fjalë e Eskilit e merr kuptimin e saj në kontekstin ku ajo futet.Çdo tragjedi ka tematikën e vet; por problemi që mbizotëron në të gjithë veprën dramatike të Eskilit është raporti mes pashmangshmërisë së fatit dhe përgjegjësisë së njeriut. Fryma që mbush teatrin eskilian shndërrohet në një mësim etik, i cili qëndron në paralajmërimin për të njohur vetveten dhe kufijtë e gjendjes njerëzore. Por forca e hyjnisë, mbi të gjitha, realizohet si drejtësi; dhe në njohjen e këtij identiteti shprehet gjithashtu një parim politik. Në fakt, organizimit shoqëror të komunitetit i kërkohet zbatimi praktik i atyre normave që e udhëheqin.81

