Page 160 - Demo
P. 160
158Në një aspekt më filozofik, informacioni lidhet së pari me lirinë e informimit (të drejtën për të qenë i informuar dhe për të informuar të tjerët), si një kusht thelbësor i demokracisë. Informimi, sidomos nëpërmjet shtypit të shkruar, u bë simboli më i madh i demokracisë pas zhvillimeve të vrullshme historike të fundshekullit XVIII në Evropë. Asokohe, me informim nënkuptohej e drejta e popullit për t’u njohur me rrethanat jetësore dhe për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e tij. Informimi ishte një përpjekje për të flakur tutje obskurantizmin e regjimeve autokratike. Që nga kjo periudhë, përhapja e lirë dhe e pavarur e ideve u kthye në elementin më të rëndësishëm të një shoqërie demokratike. Pikërisht në emër të kësaj lirie, sot ne kemi shtyp të lirë. Mjetet e informimitInformacionin që marrim mund ta ndajmë në informacion që na shërben për jetën tonë të përditshme dhe në informacion që nuk ka asnjë pasojë të drejtpërdrejtë mbi jetën tonë. Në rastin e dytë, themi se informacioni përcillet me profesionalizëm të lartë: përhapja e informacionit është më e rëndësishme sesa përmbajtja e tij. Ky rast lidhet më së miri me të drejtën e informimit. Informimi mundësohet kryesisht nëpërmjet profesionistëve të fushës, të cilët, në këtë rast, janë gazetarët. Mjetet që ata shfrytëzojnë për të përhapur informacionin, janë gazetat, radiot, televizioni dhe, së fundi, interneti. Interneti, për shkak të lehtësive që krijon, ka nxitur tashmë lindjen e asaj që quhet gazetari amatoriale: sot, gjithsecili, me anë të blogjeve të tij, mund të krijojë dhe të përhapë informacion nëpërmjet internetit. Kjo liri mund të shkaktojë probleme deontologjike dhe ligjore.E drejta për informim dhe ligji për medianRreziqetInformacioni që përhapet me shpejtësi mund të mos përkojë me të vërtetën. Kështu, gazetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të kontrollojnë burimet e tyre, pasi jo vetëm mund të japin një lajm të rremë, por mund të cenojnë edhe dinjitetin e njeriut, me të cilin lidhet informacioni. Rreziku është më i madh kur bëhet fjalë për blogje personale, të cilat nuk drejtohen nga gazetarë profesionistë. Për këtë arsye, në shumë vende të Evropës, përpara se të krijojnë blogun e tyre, përdoruesit e internetit nënshkruajnë një dokument elektronik, që parashikon rregullat etike që ata duhet të respektojnë gjatë aktivitetit të tyre.

