Page 49 - Demo
P. 49


                                    47Restorantet dhe lokalet janë aktivitete tregtare dhe shprehje e lirisë së individit për të ndërmarrë veprimtari ekonomike. Në shoqërinë e ekonomisë së tregut, liria për të ndërmarrë veprimtari ekonomike është pjesë e lirive individuale. Por kjo liri është e kushtëzuar, domethënë ajo duhet të respektojë rregulla të përcaktuara. Për shembull: restorantet ose baret që ndodhen në zona të populluara, nuk mund të rrinë hapur përtej një orari të caktuar, subjektet e paregjistruara nuk lejohet të kryejnë veprimtari tregtare, po kështu lëvizja me mjete transporti të palicensuara është e ndaluar. Të gjitha këto liri kufizohen nga nevoja për të respektuar normat e sjelljes në shoqëri dhe dispozitat ligjore në vend. Kufizimi i këtyre lirive bëhet në emër të rendit publik. Kufizimi i lirisë në funksion të ruajtjes së rendit publik mund të jetë gjithashtu pasojë e rreziqeve të ndryshme që i kanosen shoqërisë dhe njerëzve. Kështu, rreziku terrorist mund të motivojë marrjen e masës së kontrollit të identitetit nga forcat e rendit në një organizim publik. Gjithashtu, emergjencat civile, si për shembull: përmbytjet, zjarret ose fatkeqësitë e tjera natyrore, mund të kufizojnë të drejtën e njerëzve për të lëvizur ose për t’u mbledhur në një manifestim.Megjithatë, kufizimet e lirisë nuk duhet të çojnë në ndalimin e plotë të tyre. Në një regjim demokratik, rendi publik është prioritar për aq kohë sa kërkohet për të parandaluar një krim, për të administruar një katastrofë natyrore ose për të garantuar gëzimin e qetë të të drejtave. Gjatë mitingjeve të kandidatit republikan për president, Donald Tramp (2016), në Amerikë, grumbullohen shumë persona që protestojnë kundër qëndrimeve të tij të ashpra ndaj emigrantëve dhe minoriteteve në SHBA. Policia ka bërë detyrën e saj duke mbrojtur mitingjet, duke kufizuar, si rrjedhojë, edhe të drejtën e protestuesve. Zakonisht, njoftimi për manifestime të ndryshme, qofshin këto me karakter politik, social, ekonomik, sportiv apo kulturor, duhet paraqitur pranë organeve të policisë një ditë përpara organizimit të tyre, në mënyrë që policia të marrë masa për ruajtjen e rendit. Organizatorët e manifestimit nuk kanë për detyrë të marrin leje pranë policisë: e drejta e manifestimit është e drejtë kushtetuese. Por ata duhet të njoftojnë policinë paraprakisht, në mënyrë që ajo të sigurojë mbarëvajtjen e manifestimit ose të njoftojë organizatorët për kufizime të manifestimit (për shembull: për t’i mbrojtur manifestuesit nga ndonjë rrezik madhor i mundshëm). Gjykata është organi që vlerëson ekuilibrin mes lirisë dhe kërkesave të rendit publik. Të drejtat e njeriut
                                
   43   44   45   46   47   48   49   50   51   52   53