Page 112 - Demo
P. 112
Në antikitet, grekët e vjetër, që janë një ndër popujt më të vjetër të gadishullit, e përfytyronin Evropën si një qenie mitike. Edhe sot, po të lexoni këngët që vazhdojnë të krijohen atje, jo vetëm të grekëve, por edhe të popujve të tjerë ballkanas, dhe ndër këta hyn edhe populli të cilit unë i përkas, vazhdon kjo traditë. Evropa vazhdon të përfytyrohet si grua. Një grua e bukur, inteligjente, disi e paarritshme. Dhe, siç ndodh shpesh me gra tilla, ato nxitin tek adhuruesit ndjenja kundërthënëse: dëshirën për ta dashuruar natyrisht, por në pamundësi të saj, dëshirën për ta përdhunuar. Ballkanasit kanë më shumë se një shekull që e shprehin dashurinë për Evropën në mënyrë pasionale, nervoze. Ajo që duhet të ishte dashuri përfundon në keqkuptim tragjik. Dhe kjo është e kuptueshme. Dy mijë e pesëqind vjet më parë, në këtë zonë të botës lindi drita e qytetërimit evropian. Por, si për një mallkim të fatit, në kohën kur Evropa nisi të qytetërohej, kjo pjesë e saj ra në errësirë për gjashtë shekuj rresht. Popujt që kanë humbur një herë Evropën e çmojnë atë më fort.Shqiptarët, populli të cilit unë i përkas, e kanë humbur dy herë Evropën: herën e parë në shekullin XV, si gjithë popujt e tjerë ballkanas, herën e dytë pas luftës së Dytë Botërore, kur ranë nën sundimin komunist. Nuk e teproj aspak po të them se sot, pas përmbysjes së komunizmit, shqiptarët jetojnë prapë në ankthin e humbjes së tretë të Evropës. Kjo do të ishte fatale për ta, kjo do të ishte baras me vdekjen e tyre.Ju që jetoni në zemër të Evropës, jeni thelbi i saj, ju nuk mund ta kuptoni se ç’është ky ankth. Ju nuk mund ta dini se ç’është ankthi i popujve që jetojnë në periferi të kontinentit evropian dhe që në çdo tërmet të historisë mund të shkëputen prej saj. Të mbante të ankoruar vendin e vet pas trupit të kontinentit mëmë, kjo ka qenë aspirata kryesore, misioni kryesor i kulturës shqiptare, një përfaqësues të së cilës ju e pranoni sot në këtë “Coupole”, simbolizon më rrokshëm se çdo gjë atë që unë e quajta më parë thelbi i Evropës.Kur ju dëgjoni emrin “shqiptar” jam i sigurt se pa dashur, përpara se të mendoni ç’është ky vend, gjëja e parë që ju vjen ndër mend është imazhi tronditës i mijëra njerëzve që kacavirren me litarë në anije. Unë s’do t’ju vija faj edhe sikur disa prej jush, gjithmonë pa dashur, hyrjen e një sivëllai shqiptar në këtë vend të nderuar, më tepër se nëpër një rrugë normale, ta përfytyroni si kacavirrje nëpër “Coupole”.Unë nuk fyhem nga kjo sepse e kam pranuar të kem fatin e popullit që i përkas, ndonëse, përgjithësisht, ai fat ka qenë i hidhur. Në qoftë se i kthehemi imazhit të anijeve dhe të turmës së njerëzve që kacavirrej në të, të jeni të sigurt se për ata njerëz të dëshpëruar e të egërsuar, ato anije ishin Evropa. Dhe dyzet vjet pas ndarjes prej saj, ëndrrën e tyre për Evropën, dashurinë e tyre të vështirë për të, dashuri që ishte njëkohësisht përdhunim, siç e thashë pak më lart, ata nuk dinin si ta shprehnin ndryshe. Ashtu siç thashë pak më parë, duke e ftuar një shqiptar, një ballkanas në këtë “Coupole”, ju i jepni shpresë pjesës më të mirë të këtyre njerëzve. Ndryshe nga shumë kalkulatorë politikë, ju tregoni se Evropa është e vëmendshme ndaj këtyre popujve. Dashurisë së tyre, dashurisë së tyre të vështirë e shpesh të shprehur keq, ju i përgjigjeni jo me përbuzje, por me mirëkuptim.Kjo nuk është një lëmoshë. Këta popuj e meritojnë vëmendjen. S’është vetëm antikiteti grek që më së shumti na vjen ndër mend. Janë të tjera vlera që ata kanë krijuar, qoftë edhe në kohët e fundme. Mjafton të kujtojmë se pikërisht ky rajon i ashpër i botës dhe, pikërisht, populli shqiptar, i dha njerëzimit të sotëm simbolin e dhembshurisë, Nënë Terezën. Dhe kjo është një tjetër arsye për të evokuar mirëkuptimin dhe shpresën. 28 tetor 1996 (marrë me shkurtime)110

