Page 145 - Demo
P. 145
dhe Internetit edhe nga ata të cilët nuk e njohin anglishten. Së fundi, makina kërkimore Google ka futur mundësinë e përkthimeve elektronike për shqipen në shumë gjuhë të botës dhe anasjellas. Nga sa u tha më lart, mund të pohohet se shqipja e ka zënë vendin e saj në Internet, ndërsa përparimet teknologjike dita-ditës po krijojnë mundësi dhe lehtësira edhe për përdorimin e shqipes. Prandaj, pohimet se Interneti është bërë strehë për shumë gjuhë të botës, vlejnë dhe për gjuhën shqipe. Sot, shqipja përdoret në të gjitha fushat e aktivitetit në Internet, duke përfshirë ueb faqet, email-et, dhomat e bisedave (chat rooms) dhe ndërveprimet përmes lojërave në Internet, mesazhet e çastit (instant messaging) etj.Shqipja në Internet shfaqet në të gjitha format dhe stilet e saj, ashtu siç përdoret edhe në botën reale, ndërsa Interneti ka ndikuar në shfaqjen e varieteteve të reja të shqipes. Në anën tjetër, në aktivitetet ndërvepruese në Internet, shfaqet variacioni i plotë gjuhësor i shqipes. Në dhomat e bisedave (chat rooms), në format e komunikimit përmes mesazheve të çastit në mesenxher (messenger instant messaging) dhe format e tjera të komunikimit të ndërmjetësuar me kompjuter (CMC), shqipja del në të gjitha variantet e saj gjeografike.Dukuria e parë që bie në sy është se në këtë formë të komunikimit ligjërimi është i shkujdesur, pra shfaqet vernakulari i pastër i individit. Vërehet përpjekja për riprodhimin e plotë në formë të shkruar të formës së folur, përdoren format: bon (bën), du (dua), mir (mirë), koma (këmba). Më tutje, ka një prirje për t’i shkruar format që shkruhen me apostrof pa apostrof (sdi ose zdi në vend të s ’ d i , skam në vend të s’kam). Në shkrime pothuajse nuk bëhet fare dallimi midis grafemave e/ë dhe c/ç, gjë që ndodh për arsye praktike, pasi në tastierat e zakonshme këto grafema mungojnë. Vërehet mospasqyrimi në shkrim i ë-së së patheksuar dhe shkruhen mire un në vend të mirë dhe unë, si dhe zëvendësimi i fjalës (numrit, nyjës) një me numrin 1, p.sh.: “spo muj 1 her”. Një riprodhim të qëndrueshëm kanë edhe pasthirrmat dhe, përveç emotikonëve, edhe format e shkruara, që synojnë të paraqesin gjendjen emocionale të bashkëbiseduesve, si p.sh.: hahaha (të qeshur), mmmm (për të shprehur kënaqësi a shije), hhmmm (për të shprehur dyshim a mendim), ufaaa (për të shprehur lodhje), phh (për të shprehur neveri) etj.Lipset të shtojmë se, ndonëse nuk kemi të dhëna për këtë çështje, Interneti mbase mund të ndihmojë edhe në ruajtjen e varieteteve të rrezikuara të shqipes, siç janë arvanitishtja dhe arbërishtja. Duke qenë mjet i komunikimit global, Interneti mund të ndihmojë në afrimin dhe në vendosjen e ndërkomunikimit midis folësve të arbërishtes dhe të arvanitishtes me botën tjetër shqiptare. Kjo do të mund të ndihmonte në ruajtjen nga zhdukja të këtyre varieteteve të shqipes.Duke e përmbyllur, mund të thuhet me plotë të drejtë që Interneti e ka revolucionarizuar komunikimin njerëzor, duke i dhënë edhe një dimension tjetër shtesë, i cili nuk ka ekzistuar më parë. Në këtë revolucion është përfshirë edhe gjuha shqipe. Sh. Munishi143

