Page 15 - Demo
P. 15
“Ngrihet sipër forma e veçantë gjigante e malit të rrudhur në një mijë rripa të humnertë, që qëndron lart si kullë mbi vijat e pandërprera të fushës me thjeshtësi të madhërishme”. Në rast se dikush zgjedh rrugën drejt lindjes, në vend që të shkojë nga veriu ose nga jugu, në më pak se tridhjetë e pesë kilometra prej Durrësit do të arrijë në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, ku ndodhet një nga mjediset unikale nga bukuria natyrore. Një shoqërim i mendimeve këtu mund të të kujtojë shatërvanin e Trevit në Romë. Artisti që e ka bërë atë shatërvan të famshëm, ka pasur idenë që ta tregonte ujin në të gjitha pamjet: duke vrapuar si përrua, duke rënë si ujëvarë ose të qetë si një pellg. Duket sikur natyra e ka zgjedhur Tiranën për një paraqitje të të gjitha tipareve të maleve, që e rrethojnë gjithandej qytetin. Keni aty edhe shkëmbin të zhveshur, edhe kodrat e pyllëzuara, majat me dëborë dhe çdo gjë që mund ta përftojë përfytyrimi me ngjyra e me forma.Shqipëria renditet si një ndër vendet evropiane nga më të pasurit me ujëra. Shumë lumenj e përrenj rrjedhin në të gjitha drejtimet. Ata që librat e gjeografisë i quajnë lumenj - qoftë Drini i Zi ose i Bardhë në veri, Shkumbini në Shqipërinë Qendrore ose Vjosa në jug, - janë në të vërtetë rrjedha të fuqishme që shpërthejnë nga malet e derdhen teposhtë luginave drejt Adriatikut me një gumëzhimë që u jep njëfarë personaliteti të gjallë. E gjithë kjo është shumë piktoreske, por e bën ndërtimin e rrugëve një punë të vështirë e të kushtueshme. [...] Për më tepër, në Shqipëri lumenjtë janë shpesh një pengesë për komunikimin e udhëtimin. Shumica janë shumë të rrëmbyer për lundrim dhe gjatë stinëve me shira vërshojnë mbi brigje, përmbytin dhe izolojnë fshatra të tëra ndonjëherë për disa javë.Sot ka rreth 1600 kilometra rrugë automobilistike në Shqipëri, disa të hapura në regjimin turk e të tjerat nga ushtritë austro-hungareze në veri dhe nga forcat italiane në jug për qëllime ushtarake gjatë Luftës Botërore. Atyre qeveria shqiptare u ka shtuar disa qindra kilometra rrugë të reja, kështu që vendi është i pajisur me një rrjet mjaft të mirë rrugësh.Për ta dhënë me një fjalë idenë se çfarë domethënieje kanë këto dy rrugë për një vend si Shqipëria, duhet vënë në dukje, për shembull, se nga kryeqyteti, Tirana, deri në qytetin e Korçës në jug nevojiten tri ditë me kalë, që deri vonë ka qenë i vetmi mjet udhëtimi, ndërsa me rrugët automobilistike, sidoqoftë, duhen vetëm shtatë orë për të mbuluar po atë largësi; së fundi, me ardhjen e aeroplanëve, udhëtimi i mësipërm bëhet vetëm për dyzet e pesë minuta. Megjithatë rrugët gjarpëruese malore, që shpesh nuk janë gjë tjetër veçse shtigje mushkash, mbeten rrugët kryesore të komunikimit ndërmjet fshatrave të vogla larg qendrave. Madje edhe ato bëhen plotësisht të pakalueshme gjatë muajve të ashpër të dimrit. Është diçka kureshtare që disa kilometra të rrugës së famshme Egnatia ende sot janë në gjendje të mirë e përdoren; kjo i bën një nder të gjallë gjenisë ndërtuese të Romës. Po e rikujtojmë që Via Egnatia ka qenë një zgjatim i rrugës së madhe romake Apia, e cila shkonte nga Roma në Brindizi, kapërcente Adriatikun për të ardhur në Durrës dhe vijonte në Elbasan, Ohër, Selanik, Bizant e Jerusalem. Ajo është një xhade që ende, si të thuash, mban gjurmët e legjioneve të Cezarit e të Pompeut.Ndërsa vetëm një pjesë e vogël e vendit është e zhveshur, pjesa më e madhe është e veshur me bimësi, por ka relativisht pak pyje të mëdha, ku mbizotërojnë ahu dhe dushku. 13

