Page 181 - Demo
P. 181
MATERIALE PLOTËSUESEKush nuk e mban mend citatin e “shokut Enver”, me të cilin duhej hapur çdo temë diplome, çdo referat në konferencë, çdo artikull reviste e çdo disertacion...? Edhe sikur një temë diplome t’u kushtohej efekteve anësore të vaksinës kundër plasjes së bagëtive, përsëri duhej gjetur citati i përshtatshëm, për t’u ekspozuar në vitrinën e faqes së parë të punimit. Të kujdesshmit mes nesh i kishin bërë gati citatet prej kohësh, duke i kopjuar me bukurshkrim në skeda kartoni e duke i renditur sipas tematikës, gjatësisë, nënvizimit ose kriteresh të tjera më enigmatike. Vepra e “shokut Enver” shpalosej kaq e gjerë e poliedrike, sa ofronte citate për tema nga më të larmishmet: karriget, mjelëset, oborrin kooperativist, Vietnamin, karkalecin, misrin kubik, transportin hekurudhor të mallrave, pastrimin kimik, përdorimin ritual të dordolecit në arat me grurë, Anatole France-in, këngën polifonike labe, penicilinën, Haxhi Qemalin, proletariatin britanik, Platonin, Ajatollah Khomeinin, vetadministrimin jugosllav, malarien, vlerat medicinale të uthullës, mësymjen, higjienën personale, provincën frënge, prapashtesat, tradhtinë kombëtare, sizmografinë, shtypshkrimin, Kont Uranin, Voskopojën, pelikanin si pasuri natyrore, tigrat prej letre. Përvetësimi i realitetit objektiv konsistonte, në thelb, në çiftëzimin e një fakti çfarëdo me citatin përkatës. Citati jo vetëm që i ofronte mbështetje strategjike tezës që do të formulohej, por edhe e vinte atë tezë në lidhje me teza dhe pohime të tjera brenda ligjërimit publik. Duke filluar nga vitet 1970, referimi ndaj një citati prej Enver Hoxhës ishte fjalëkalimi për ta futur tekstin në qarkullim; pavarësisht nga përmbajtja e tekstit ose e citatit. Tekstet e cituara të Enver Hoxhës i shërbenin kështu legjitimimit të ligjërimit publik; njëlloj si vula në një dokument zyrtar, ose viza në një pasaportë. Sa më shumë që përsëriteshin këto citate, aq më shumë zbrazeshin nga kuptimi fillestar.Për nga natyra e vet, citati është thënie e nxjerrë nga konteksti i vet fillestar (e dekontekstualizuar) dhe e përsëritur në kontekste të tjera, nga përdorues të tjerë, të cilët kujdesen t’ia specifikojnë autorësinë si burim prestigji, autoriteti dhe vërtetësie. Duke u cituar, autori sillet si palë e tretë në komunikim, në aleancë me palën që ka cituar.Nëse komunikimi shtjellohej në trajta të debatit, atëherë të sjellët atje e një citati nga shoku Enver mund, madje ndonjëherë duhej të shoqërohej me arrestimin e palës tjetër, në fund të mbledhjes.Përsëritja dhe nxjerrja nga konteksti (dekontekstualizimi) ishin dy mënyra themelore për të shprehur vazhdimësinë në ligjërimin publik; vazhdimësinë si riprodhim mekanik të strukturave abstrakte të ligjërimit, por edhe të pushtetit vetë. Përndryshe, i parë jashtë kornizës pragmatike, citimi do të çonte detyrimisht në banalitete të tipit: Shoku Enver Hoxha ka thënë se “Nëntoka shqiptare është e pasur me minerale”.Meqë përdoruesi i një citati të tillë e kishte të qartë se shoku Enver Hoxha nuk kishte ndërmarrë ndonjë studim gjeologjik të pasurive nëntokësore të Shqipërisë, atëherë citati nuk mund të përligjet vetëm me nevojën për ta përfshirë ligjërimin publik individual (në këtë rast, një disertacion në lëmin e industrisë minerare) në ligjërimin publik total(itar).Edhe sot e kësaj dite, kur totalitarizmi politik i përket historisë, ende ka mbijetuar nevoja për referencim të ligjërimit, nëpërmjet citimit autoritativ. Po të lexosh komente e kolona editorialesh në shtyp, menjëherë do të vësh re se, në më të shumtën e rasteve, citatet orientohen dhe organizohen sipas modelesh të kapërcyera. Prandaj dëgjohen ndonjëherë çudira të tipit: Siç e ka thënë edhe Ismail Kadareja, shqipja është gjuha më e vjetër e Evropës. shkëputur nga “Shqipja totalitare”, Ardian VehbiuCITATI179

