Page 114 - Demo
P. 114
Më 1848 botoi gazetën “L’Albanese d’Italia”, e cila është e para në historinë e shtypit shqiptar. Ndërkohë, ai mbajti kontakte përmes letërkëmbimeve të pandërprera me një radhë figurash të njohura të Rilindjes, si: Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Thimi Mitko, Faik Konica, Zef Jubani, Dora d’Istria etj. Gjatë komunikimit me ta, De Rada shkëmbeu pikëpamje dhe projekte për çështjen e çlirimit kombëtar nga pushtimi i Perandorisë Osmane. Përkrahu me vendosmëri Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878), duke i bërë jehonë të madhe në Itali programit të saj për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe formimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kontributi letrar dhe gjuhësorBotimi në shqip dhe italisht i revistës “Fiamuri i Arbërit” (1883) qe një tjetër ndihmesë që De Rada i dha programit rilindës. Në shkrimet e gazetës iu bë jehonë historisë dhe kulturës së lashtë të popullit shqiptar dhe u mbrojtën të drejtat e tij legjitime, duke demaskuar synimet e politikave shoviniste të vendeve të tjera.Krahas veprave të shumta letrare, mbledhjes e botimit të folklorit arbëresh, De Rada dha një kontribut të çmuar edhe në gjuhësi. Ai botoi e referoi mjaft shkrime gjuhësore në disa konferenca shkencore ndërkombëtare, siç qenë ato të organizuara në Napoli e në Kozencë. Në këto shkrime, i nxitur nga qëllime patriotike për të dëshmuar lashtësinë e popullit shqiptar, De Rada mbrojti teorinë e origjinës së shqipes nga pellazgjishtja, të cilën e vlerësonte si një nga gjuhët më të vjetra. Fatkeqësitë e rënda familjare nuk ia mposhtën pasionin e tij krijues e atdhetar. Vdekjet e njëpasnjëshme të katër djemve e të gruas, qenë për të humbje tragjike, të cilat e tronditën jashtëzakonisht, por si njeri me shpirt e karakter të pazakontë që ishte, ai nuk u ndal asnjëherë në rrugën e kërkimit poetik.Deri në vitet e fundit të pleqërisë, De Rada nuk iu nda mësimdhënies në katedrën e shqipes, në kolegjin ku kishte studiuar dhe vetë, në Shën Mitër. Ndarja e tij nga jeta më 28 shkurt 1903, në vetmi e në varfëri, u përjetua si një humbje e madhe. Vepra e çmuar letrare që la pas, është një trashëgimi me vlera të jashtëzakonshme, e cila zë një vend kryesor në panteonin e letrave shqipe. Eqrem Çabej “Jeronim De Rada e ka pasuruar literaturën tonë me një botë të re, me një tufë motivesh e figurash origjinale, të cilat kanë ringjallur një nga epokat më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar; po mbi të gjitha me një poemë si “Milosao”, një nga margaritarët e literaturës sonë. Ndërkaq, personaliteti i De Radës, për temperamentin dhe formimin e tij mendor e për disa kushte historike e sociale të veçanta, i kalon caqet e shkrimtarit. Ai, përveçse poet i frymëzuar, ka qenë dhe folklorist, gazetar, gjuhëtar, mësonjës, patriot në kuptimin më të lartë e më aktiv të fjalës. Shkurt, veprimtaria e tij ka diçka tërësore. Ajo përmblidhet në figurën e një apostulli të idesë nacionale, ide që gjatë shekullit XIX përshkoi si një frymë e re popujt e Evropës Lindore e Juglindore. Për të kuptuar këtë veprimtari në tërësinë komplekse të saj, duhet parë personaliteti i poetit në hapësirë e në kohë: në mjedisin ku jetoi e u zhvillua dhe në shekullin që e leu e që e mori...\ Krijimtaria Veprat e paraDe Rada, si një nga autorët më të shquar të letërsisë shqipe ka lënë një trashëgimi letrare të vëllimshme. Vepra e tij e parë është poema e shkurtër “Odise”, e shkruar në italisht (1832), gjatë kohës që studionte në kolegjin e Shën Adrianit. Ishte mjaft i pasionuar pas letërsisë, sidomos pas tragjedianëve grekë dhe poetëve latinë. Me ndihmën e mikut të tij arbëresh, Emanuel Bidera, drejtor shkolle dhe mjaft i njohur asokohe në Napoli, botoi për herë të parë, në vitin 1836, veprën “Këngët e Milosaos”. Mendohet se poezitë e para që i botoi në gazetën letrare “Omnibus” të Napolit, të drejtuar nga një arbëresh, mund të jenë pjesë e kësaj vepre. “Këngët e Milosaos” është vepra e parë në shqip e De Radës dhe vlerësohet si më e shquara e tij për nga niveli artistik dhe njëherazi, si një nga kryeveprat e mbarë letërsisë shqipe. Kjo vepër njohu edhe dy botime të tjera të ripunuara, më 1847 dhe 1873.Pas saj, De Rada botoi poemën “Serafina Topia”, e cila është konceptuar si ditari lirik i një vajze të hijshme e plot virtyte, Serafina Topisë, princeshë e Artës dhe e 112

