Page 117 - Demo
P. 117


                                     StrukturaBotimi i parë i kësaj vepre (1836), përmban tridhjetë këngë, kangjele, siç i quan De Rada, ndërsa dy botimet e tjera të ripunuara (1847, 1873) kanë tridhjetë e shtatë këngë secila. Përveç pjesëve të shtuara, këto dy variante kanë të shënuar në krye të çdo kënge ditën dhe vitin e ngjarjeve të përshkruara. Kjo me sa duket, jo vetëm me synimin për t’i dhënë veprës një sfond historik bindës, por edhe për t’i ngjarë një ditari lirik, sikundër ishte konceptuar. Një ditar lirik i përjetimeve të vetë poetit të ri, që i vishet një princi shqiptar të shekullit XV. Botimi i parë, i krahasuar me variantet e ripunuara, vlerësohet nga studiuesit e shumtë si më i arrirë, si një vepër me ligjërim mjaft spontan dhe me tablo idilike, plot freski e delikatesë ndjenjash e përjetimesh të thella poetike. Vargjet u shkruan në moshë fare të re dhe përcjellin sinqeritetin e lirizmin e ëmbël rinor. Përgjithësisht vargjet janë pa rimë dhe të organizuara në tetërrokësh, të përzier sipas rastit me shtatërrokësh, gjashtërrokësh e pesërrokësh.  SubjektiMilosao i ri, bir i një familjeje të pasur, kthehet nga studimet në atdhe. Kur kalon pranë një kroi, sheh Rinën e bukur, të bijën e Kallogresë së varfër dhe bie në dashuri me të, por kjo nuk pranohet kurrsesi nga familja e tij. Ndërkaq, në qytetin ku jetonin dy të dashuruarit, në Shkodër, bie tërmet i fuqishëm dhe dëmet materiale i zbehin dallimet sociale mes dy familjeve. Heroi vendos të bëjë një jetë të thjeshtë, duke lëruar tokën, dhe vajza të bëhet zonjë shtëpie. Vjen gëzimi i madh i martesës dhe i lindjes së djalit.Por gëzimi nuk zgjat: Fëmija i tyre vdes e më pas edhe Rina nga dëshpërimi. Pranë Milosaos tashmë është e motra, që vendos të mos martohet, por t’i qëndrojë pranë të vëllait. Milosao merr pjesë në luftë kundër pushtuesit të atdheut dhe plagoset rëndë. Momentet e fundit të jetës i kalon duke kujtuar shokët dhe qytetin e tij të lindjes, Shkodrën. Vlerësime“Këngët e Milosaos” është një vepër artistike që ka tërhequr dhe vazhdon të tërheqë interesin e mjaft studiuesve të letërsisë, për nivelin e saj të lartë artistik, për filozofinë e thellë të jetës që përcjell, si dhe për figuracionin e pasur. Biografët e De Radës kanë shkruar se ai ka pasur rastin të njihet edhe me poetin francez Lamartin, kur ky i fundit ishte me pushime në ishullin Iskia, pranë Napolit (1844). Ai i kishte lexuar veprat e poetit (të cilat ishin botuar në arbërisht dhe në italisht) dhe i kishte shprehur vlerësime të larta. Edhe poeti tjetër i njohur francez, F. Mistrali (1830-1914), kishte shprehur admirim për poemën, me tablotë e saj delikate që përcjellin aromën dehëse të idileve biblike dhe të një gjuhe të virgjër. ANALIZË E VEPRËSKëngët e MilosaosErnest Koliqi“Shqipnia, si kombi i vetëdijshëm për vlerat e veta të posaçme etnike e shpirtnore, qe bijë e letërsisë së lavrueme të nisun prej Jeronim De Radës më 1836 me Milosaun.Tue mbledh kangët tradicionale prej gojës së të bijës së Kologresë njohu forcën e ambëlsinë e dialektit të vendlindjes. E, thuejse në mënyrë magjistore, të ndjellun prej tingullit të atyne fjalëve të zakonshme, që tashti pa pritë e pakujtue, i hetonte të ngarkueme me thirrje të çuditshme që vijshin prej kohësh krejt të tejme, vegimi i tokës së largët të të parëve, ju shfaq menjiherë, i gjallë e rektues. Jetonte në nji skaj fatlum të atij atdheu, të dyndun e në lulëzim nën qiej të kaltërt, ndërsa atdheu i parë mekej i zhytun në errësirën e thellë të nji nate të gjatë pa shpresën e nji agimi. E ky mendim i papritun shkaktoi nji pështjellim të veçantë në gjakun e tij, prej të cilit qiti krye, thuejse i mbrasun me kujtime qysh para lindjes, në nji të trandun mungujsh e tharmesh etnike, kangjeli i parë i Milosaut, i cili mund të mbahet si e para sokllimë e mrekullueshme e letërsisë së lavrueme shqiptare posa të leme.Në vargjet e Milosaut nuk ka asnji pikë ujdisje retorike, asnji gjurmë kujtimesh të kjarta librore: asht nji trokllitje jete së thjeshtë shqiptare, e cila prej vetvete bahet poezi. Nji limfë e mshehtë qarkullon ndërmjet rrokjeve të vargjeve. Tue i lexue e tue i shqiptue me za të naltë, Shqiptarëve u duket se po kerkojnë shijen e langjeve ma të mshehta të rrajës së tyne etnike.” 115
                                
   111   112   113   114   115   116   117   118   119   120   121