Page 15 - Demo
P. 15
prozë. Në folklorin tonë kemi një sërë këngësh legjendare, si p.sh.: “Legjenda e Rozafatit”, “Legjenda e Ago Ymerit”, “Legjenda e Gjergj Elez Alisë” etj. Përralla është një vepër në prozë që rrëfen ngjarje të trilluara me elemente e personazhe fantastike. Në përrallë, realja e imagjinarja shkrihen dhe bashkëjetojnë me njëratjetrën. Personazhet e përrallave shpesh janë kafshë, sende apo dukuri atmosferike, që antropomorfizohen (marrin tipare njerëzore) dhe ndërveprojnë me protagonistin e përrallës. Përgjithësisht përralla është krijim folklorik, si p.sh.: “Përralla e Qerosit”, por mund të jetë edhe krijim autorial, si në rastin e përrallave të Andersenit. Për nga struktura, përrallat u referohen modeleve arketipale të shoqërisë njerëzore dhe kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën, pavarësisht nëse bashkësitë që i përdorin ato, mund të mos kenë asnjë kontakt mes tyre. Gjuha e tekstit të përrallës është mjaft e thjeshtë, mund të mbartë elemente dialektore dhe i përgjigjet komunikimit të caktuar parashkrimor e botëkuptimit përkatës. Fabulat janë tregime alegorike me personazhe kafshë a bimë, në vargje ose prozë që përmbajnë të gjitha karakteristikat tipike të përrallave. Në fabula kafshët flasin, veprojnë e mendojnë njësoj si njerëzit dhe bashkë me ta. Tiparet dhe vlerat e fabulës qëndrojnë në ndërlidhjen kafshë-njeri. Nëpërmjet përshkrimit të veprimeve, marrëdhënieve, bashkëbisedimeve të kafshëve e të bimëve, fabulat trajtojnë çështje dhe probleme që lidhen me marrëdhëniet dhe tiparet e njerëzve. Idetë, parimet morale, mesazhet e përcjella në fabula jepen në fund në formë moralizimi a këshille. Fjalët e urta ose proverbat janë thënie të shkurtra që shprehin në mënyrë shumë sintetike mendime e gjykime për ngjarje, dukuri e çështje të ndryshme. Ato paraqiten e shprehen si të vërteta kategorike, të pakundërshtueshme e me vlera të përhershme. Populli i quan edhe “fjalë të moçme” ose “fjalë ari”. Këto terma kanë hyrë në folkloristikë si nga tradita jonë popullore, ashtu edhe përmes huazimeve nga popujt e tjerë. Në praktikën shqiptare, këta terma përdoren si sinonime. Tregimi është një nga llojet e letërsisë narrative, i shkruar në prozë, ku rrëfimi realizohet në një hapësirë të kufizuar e me më pak personazhe se në llojet e tjera që janë më voluminoze, si novela dhe romani. Rrëfimi priret të mos jetë shumë i ndërlikuar dhe të ketë një strukturë të thjeshtë. Tregimi i kushtohet zakonisht një ngjarjeje të veçantë në jetën e njeriut, pa treguar në mënyrë të detajuar se ç’ka ndodhur me të para dhe pas kësaj ngjarjeje.Përmendim: tregimet e Mopasanit, tregimet e nobelistes Alis Munro etj. Novela është një lloj i ndërmjetëm letrar, që shtrihet mes tregimit dhe romanit. Në novelë, temat mund të jenë të shumëllojshme dhe lidhen me tërësi faktesh e karakteristikash njerëzore. Për të tërhequr vëmendjen, novela fillon me parashtrimin e dendur të cilësive të personazheve dhe ngjarjeve. Rrëfimi mund të jetë i pandërprerë, kur vijohet fill me trajtimin e motiveve, ose i fragmentuar, kur novela paraqitet me pjesë ose kapituj. Ndër novelistët e njohur përmendim: Xh. Xhojsi, T. Man, F. Kafka, S. Cvajg, Migjenin, Koliqin etj. Dallimi mes tregimit dhe novelës nuk gjen shprehje në krijimtarinë letrare. Autorë të ndryshëm (Pirandelo, Shnitzler) i quajnë novela krijime që në bazë të përkufizimeve janë tregime dhe e kundërta: tregimet e Xhefri Çoserit, kanë tipare tërësisht novelistike. Një ndarje e prerë mes tregimit dhe novelës duhet shmangur dhe duhet mbajtur parasysh përcaktimi që u bëjnë vetë autorët veprave të tyre. Alis Munro13

