Page 182 - Demo
P. 182
Fjodor Dostojevski (1821-1880)Jeta dhe vepraArti i Dostojevskit analizon mbi të gjitha psikologjinë e njeriut. Te Dostojevski nuk haset më romani i shek. XIX me “faktet e hekurta” të tij, por shfaqet një narrativë më moderne, me brengat dhe përfshirjet psikologjike. Personazhet e tij, shumica e të cilave u përkasin shtresave sociale më të dobëta, duket sikur kërkojnë çlirimin nga varfëria dhe nga poshtërimi. Përtej konflikteve klasore, ato torturohen më shumë nga konfliktet e brendshme komplekse. Nëpërmjet një arsyetimi të vazhdueshëm, këto konflikte i detyrojnë të bëjnë analiza të ashpra për veten e tyre dhe nxjerrin në dritë dramat e shumëfishta të vetëdijes njerëzore. Narracioni është gjithmonë elektrizues nga situatat që ndërthuren me shpejtësi dhe nga përsiatjet e vazhdueshme që e vënë lexuesin përballë problematikave dhe enigmave. Fjodor Dostojevski lindi në Moskë më 11 nëntor 1821. Familja e tij banonte në spitalin e të varfërve ku i ati ishte kirurg. Dhuntinë e artistit të fjalës, Fjodori e trashëgoi nga nëna e tij, një grua e shkolluar, e talentuar dhe me prirje në poezi. Ndarja e saj nga jeta, kur Fjodori ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, i ndryshoi jetën gjithë familjes. Babai u tërhoq në një pronë që kishte në fshat, filloi ta teprojë me alkoolin, u bë i dhunshëm dhe dy vite më pas e vranë fshatarët që punonin në tokat e tij (1839). Dostojevski u diplomua për inxhinieri ushtarake në Petërsburg. Aty filloi punë si nëpunës i administratës, por e la shpejt atë për t’iu kushtuar letërsisë. Në moshën 25-vjeçare publikoi novelën e parë “Njerëz të varfër”, e cila u prit shumë mirë nga kritika dhe publiku. Popullariteti i Dostojevskit u rrit mbas botimit të tregimeve, skicave dhe romaneve të shkurtra. Për arsye ekonomike, ai shkruante me “nxitim” dhe i shiste romanet e tij para se t’i mbaronte. Ky nxitim i krijonte ankth e keqardhje dhe u bë shkak për akuza të kritikës se shkruante “keq”. Studiuesit e tij të vëmendshëm mendojnë se kjo klimë tensioni të vazhdueshëm krijoi terrenin e duhur për zhvillimin e romaneve të tij.Në moshën njëzetetetëvjeçare (22. 04. 1849) ai u arrestua bashkë me frekuentues të tjerë të një rrethi politik dhe u dënua me vdekje. Ai dhe të burgosurit e tjerë u bënë objekt i një farse mizore. Ekzekutimi i pezulluar nga cari mbas leximit të vendimit, u improvizua në agimin e datës 22.12.1849. Dostojevski dhe shokët e tij u vunë përpara skuadrës së pushkatimit. Kjo përvojë e tmerrshme la gjurmë të thella në psikologjinë dhe fizikun e tij. Epilepsia, e shfaqur që në fëmijëri, iu rëndua shumë. Dënimi u ndryshua në 4 vite punë të detyruar në Siberi. Jeta e vështirë vazhdoi edhe mbas mbarimit të dënimit (mars 1854). Shkoi ushtar në një batalion në Siberi dhe u martua me Maria Dimitrevnën. Martesa me të nuk qe e lumtur. Shtëpia-muze e Fjodor Dostojevskit180

