Page 184 - Demo
P. 184
Ai arrin të zbulojë pozitiven në planin shpirtëror, madje edhe në botën e të margjinalizuarve. Këtë vepër Turgenjevi e ka krahasuar me veprën e Dantes. “Shënime nga nëntoka” (1864)Kjo është një vepër thelbësore në krijimtarinë e autorit, e ndërtuar në formë monologu. Vepra është një shembull unik që shpreh angazhimin për të përcaktuar mekanizmat kompleksë të personalitetit të njeriut dhe të kuptimit të qëndrimeve të tij të brendshme. Romani flet për një njeri moralist, që kërkon të çlirojë nga mëkatet një prostitutë. Kur ajo vjen në shtëpinë e tij, ai e poshtëron dhe më pas vuan e qan për sjelljen e tij. “Krim dhe ndëshkim” (1866)Ky është jo vetëm një roman i rëndësishëm, por edhe më i famshmi i Dostojevskit. Ai trajton historinë e një krimi të përsosur, nga i cili vrasësi nuk gjen paqe. Personazhi torturohet nga ndjenja e fajit dhe nga nevoja për të çliruar ndërgjegjen e tij me ndëshkimin. Kjo gjë e shtyn të dorëzohet, duke parapëlqyer më shumë dënimin se brejtjen e ndërgjegjes. Raskolnikovi vret fajdexheshën, duke menduar se përveç rregullimit të gjendjes ekonomike të familjes, me të hollat do të realizonte gjëra në të mirë të shoqërisë. Por, ai nuk i shpëtoi dot vrasjes së ndërgjegjes për kryerjen e krimit në kundërshtim me moralin. Ai u dorëzua, sepse ndjenja e shkëputjes dhe e ndarjes nga njerëzit që provoi pas krimit ishte torturë për të. Debatit mbi legjitimitetin e një morali të veçantë, për pozicionin e mbinjeriut si Raskolnikov, Dostojevski iu përgjigj me shembullin e mirësisë së Sonjës, me triumfin e humanizmit mbi individualitetin, me ndëshkimin dhe shpagimin si rrugë e vetme e shpëtimit dhe e integrimit të njeriut. Ky është edhe romani i parë nga katër romanet e mëdha të Dostojevskit, që pasqyron rrugën e së mirës dhe së keqes. Autori nuk besoi asnjëherë se e keqja është gjendja normale e njeriut. “Idioti” (1868-1869)Romani ngre problemin e njeriut të mirë të përfaqësuar nga princi Mishkin, një “njeri absolutisht i mirë”, i cili ka si tipare dalluese mirësinë, bujarinë, çiltërsinë e gatishmërinë për t'u vetëflijuar për nevojtarët. Ai lumturohet sa herë që vë re se njerëzit pajtohen, dashurohen, merren vesh me njëri-tjetrin dhe pikëllohet kur njerëzve u ndodhin fatkeqësi. Fjodor Dostojevski - mozaik në metronë e Moskës182

