Page 191 - Demo
P. 191
Ivanin. Ai zbulon që fajtori i vërtetë është pikërisht ai. Smerdjakovi e ka vrarë babanë nga urrejtja, por kur ia rrëfen Ivanit, pak para se të vetëvaret – në një nga dialogët më intensivë të gjithë veprës dostojevskiane – ai ia hedh fajin atij. I thotë se nuk do ta kishte vrarë, nëse nuk do ta kishin bindur bisedat e “vëllait të ditur” për relativitetin e moralit dhe të faktit që “gjithçka është e lejueshme”. Ivani është ai që quhet “nxitësi”, mbase i pavullnetshëm, por deri në çfarë pike? Ivani nuk arrin të gjejë një përgjigje: “një ethe cerebrale” e shpie drejt çmendurisë përmes një deliri të gjatë (a është vërtet delir?), gjatë të cilit Ivani ndeshet me vetë djallin dhe bisedon me të. Dimitri do të dënohet, por dënimi do të ketë për të një efekt ripërtëritës, pastrues. Në qendër të romanit është Aljosha. Tek ai rrëfehen të gjithë dhe ai i njeh sekretet e secilit. Aljosha mbetet vetëm përballë shembjes së botës së tij dhe të imazhit për veten. Bota e tij shembet mbas goditjes së parë shpirtërore që pëson nga vdekja e mësuesit të tij të dashur, kallogjerit Zosima. Predikimet e Zosimës mbeten mësime të vlefshme për Aljoshën, i cili duke dalë nga dhoma ku bëhet përgjimi mortor, vëren papritur bukurinë e qetë të mbrëmjes...: “qetësia tokësore qe shkrirë me atë qiellore; misteri tokësor qe puqur me atë të yjeve... Aljosha vështronte lart kur... papritur u shemb përtokë... As vetë s’e dinte përse donte ta pushtonte me krahë atë tokë, përse deshi ta puthte, ta puthte të tërën, cep më cep, veç vazhdonte ta puthte me zjarr, duke e larë me lot e duke u betuar pa pushim se do ta dojë në jetë të jetëve. “Lage tokën me lot gëzimi dhe duaji lotët e tu!” – i kumboi në shpirt. Përse qante? O, qante edhe për yjet, që shkëlqenin në pafundësi, qante e nuk druhej, sikur fijet nga botët e panumërta të Zotit të qenë bashkuar të gjitha në shpirtin e tij dhe dridhej nga përmallimi, tek “i prekte botët e tjera”. Ndjeu një dëshirë të zjarrtë për t’i falur të gjithë, pastaj, të lypte falje edhe për vete... o, jo për vete, por për të tjerët... “ata, të tjerët, le të lypin falje për mua”, – i kumboi sërish në shpirt. Diçka e fuqishme, e paluajtshme, si kjo hapësirë qiellore, sikur po i depërtonte në shpirt; sikur një ide e re po lëshonte rrënjë në zemrën e tij, për gjithë jetën e në shekuj të shekujve. Kur u shemb në tokë ishte djalë i ri... tani u ngrit si luftëtar i vendosur, për gjithë jetën. E ndjeu me shpirt këtë ndryshim. Dhe nuk e harroi më kurrë atë çast, kur “dikush erdhi më vizitoi në shpirtin tim”, – siç thoshte vetë më vonë, me besim të plotë në fjalët e tij. Tri ditë më pas doli nga manastiri. Kjo kish qenë dëshira e kallogjerit të ndjerë, i cili e pat këshilluar “të jetonte midis njerëzve”. [pjesa III, libri VII, kap. IV]Brenda tij zgjohet një forcë shumë e madhe, natyrën e së cilës ai vetë nuk e njeh. Ai zbulon misterin e gëzimit panteist që sjell njëjtësimi me natyrën, “thelbi i së tërës” që autori kishte premtuar te parathënia: një bashkim i tokës dhe qiellit, i pasionit dhe i pastërtisë, i botës njerëzore me pafundësinë: kushti i nevojshëm për t’ia dalë mbanë me sukses në eksperimentin e ardhshëm të së mirës. Gjithsesi mbetet pa përgjigje (edhe pse u konsultuan shënimet e autorit për “romanin kryesor”) nëse në botën dostojevskiane, gëzimi universal do të ishte i mjaftueshëm për një sukses të tillë.Studim teksti 1. Cila është tema kryesore e romanit “Vëllezërit Karamazov”?2. Çfarë vesesh dhe karakteristikash të shoqërisë njerëzore zbulojnë ngjarjet në këtë roman?3. Si përcaktohen temat, personazhet dhe koha së cilës i referohet romani nga vetë autori? 4. A e kemi në këtë vepër konfigurimin e heroit të jashtëzakonshëm? Ç’kuptim i dha autori atij? Përse e kishte kaq për zemër dhe ç’kërkonte të arrinte përmes tij Dostojevski?5. Cilat personazhe të romanit përfaqësojnë idetë e mëdha të autorit dhe prirje të caktuara të tij? 6. Si e shfrytëzon Dostojevski zbërthimin e psikologjisë së personazheve për të paraqitur botën?7. Analizoni konfliktin kryesor në familjen Karamazov. Si bëhen shtysë ndjenjat e ndryshme në zhvillimin dhe zgjidhjen e tij?8. Diskutoni mbi mesazhin që përcjell kjo vepër. Sa aktual është ai në ditët tona?189

