Page 225 - Demo
P. 225
FRAGMENTKorrespondenca*Soneti i titulluar “Korrespondenca” është njëri nga tekstet më të famshme të vëllimit “Lulet e së keqes”, mes teksteve që hapin librin. Ai është reagim ndaj deklasimit të poetit, tashmë pre e talljeve të publikut borgjez, dhe një manifest i vërtetë i simbolizmit. Soneti përmbledh në mënyrë sintetike poetikën e simbolizmit, meqë pohon nga njëra anë unitetin e thellë të reales me sensin shpirtëror të gjërave, nga ana tjetër analogjinë mes niveleve shqisore (nëpërmjet figurës së sinestezisë). Në strofën e parë deklarohet se natyra është një tempull, një vend i shenjtë plot mister, ku çdo gjë ka një kuptim të fshehur “pyll simbolesh”. Në strofën e dytë qartësohet kuptimi i titullit të poezisë: aromat, ngjyrat, tingujt i përgjigjen reciprokisht, dhe gjithçka që ekziston në natyrë lidhet nga korrespondenca, përbën “një bashkim të thellë e të errët”. I vetmi kyç për të deshifruar një mister të tillë gjendet te fjalët, jepet nga sajesa e poetit, nga magjia e tij verbale: dy tercinat krijojnë lidhje arbitrare mes ndijimeve që u përkasin shqisave të ndryshme (aromat – nuhatjes, të freskët – prekjes, të ëmbël – shijes, tingulli i oboes – dëgjimit, jeshile – shikimit). Përdoret gjerësisht sinestezia, e cila nuk është thjesht një figurë retorike, por një mënyrë e vërtetë e njohjes joracionale, pra vullnetarisht e huaj për dijen racionale, në shërbim të industrisë dhe tregut. Natyra është një tempull ku kolona të gjalla, Lënë ngandonjëherë fjalë pa kuptim t’u shpëtojnë;Njeriu ndjen sy familjarë1 që ngultas e vështrojnë,Kur kalon nëpër këto pyje simbolesh të rralla.Njësoj si jehonat e përzgjatura që përngjizen, Në një bashkësi të thellë e të errët, diku në largësi, Si nata dhe drita e ditës, të pamasa gjer në pafundësi,Parfumet, ngjyrat dhe tingujt përgjigjen2. Ka parfume të freskët, si mish i butë fëmije,Si tingull i ëmbël oboe, si luadhe, që gjelbërimet i mbulojnë, Ka dhe të tjerë, ngadhënjimtarë, të korruptuar, plot pasuri,Që gjërat e pafundme dëshirojnë të zaptojnë, Si rrëshira erëkëndshme, si ai qelibar, ai myshk e temjan3,Që këndojnë dalldisjen e ndjenjave dhe të shpirtrave tanë.Sharl Bodler, Lulet e së keqes, Përktheu Dritan Thomollari, Tiranë, 2004, f. 27* Titullin e këtij soneti të famshëm Bodlerit duhet t’ia ketë dhënë ai interesim i fortë i një numri të madh artistësh të shquar të asaj kohe, për gjetjen dhe deshifrimin e analogjive midis “gjërave natyrore” dhe atyre “shpirtërore”. Në vitin 1857, në një etyd për Ponë, ai nënvizoi: “Është i admirueshëm, i pavdekshmi instinkt i së bukurës që na bën ta konsiderojmë tokën dhe spektaklet e saj si një shëmbëllim, si një korrespondencë të qiellit”. Po në këtë etyd, ai thekson rolin sa mrekullisht poetik, aq edhe shpirtërisht të shkëlqyer të zhvilluar nga imagjinata në deshifrimin e botës natyrore. 1 Sy familjarë: familjariteti me të cilin pyje simbolesh duket se vëzhgojnë njeriun nuk e anulon tërësisht tëhuajtjen dhe vështirësinë që ai has në kuptimin e plotë të sekretit të thellë dhe misterioz. 2 Aromat, ngjyrat dhe tingujt e natyrës lidhen nga një rrjet korrespondencash: njëra palë të shpie te të tjerat si jehona të gjata që nga distanca të mëdha aspirojnë të shkrihen në një njësi të pamasë e të përsosur të kundërtash; 3 Elemente me origjinë vegjetale (rrëshira erëkëndshme, temjani) dhe ato me origjinë shtazore (qelibari, myshku) përdoren në farmakologji, në kozmetikë ose në ritet fetare për aromat e tyre intensive.223

