Page 48 - Demo
P. 48
PJESA E DYTË. Nga bota e vogël te bota e madhe – nga kërkimi te krijimi Në pjesën e dytë Fausti shfaqet në “botën e madhe”. Lexuesi ndjek në stacionet e përvojës demonizimin dhe utopinë e protagonistit, shndërrimin e tij nga kërkues në krijues e jetëdhënës.Akti I. Zgjimi i Faustit. Fausti kalon një krizë të thellë morale nga humbja e Margaritës dhe bie në gjumë. Shpirtrat e mirë e zgjojnë, duke i thënë të ketë besim te dita e re, sepse: Bën çdo gjë një mendjendritur, që mendon, kupton, vepron (v. 4664-4665). Fausti nis jetën aktive si këshilltar i perandorit dhe shpëton shtetin nga një krizë financiare (fut kartëmonedhën). Ai futet në botën e nënave (simbol i ideve të pastra) ku takon Paridin dhe Helenën (ideal i bukurisë dhe i artit klasik), me të cilën dashurohet dhe arrin ta ringjallë. Akti II. Vagneri, shkencëtar autoritar, krijon një qenie njerëzore artificiale që e quan Homunkulus. Gëte merr pjesë në Natën e Valpurgës klasike (e ndryshme nga ajo e pjesës I). Akti III. Fausti dhe Helena. Në Spartë, Fausti bashkohet me Helenën (alegori e bashkimit mes botës klasike dhe botës feudale). Nga dashuria e tyre lind Euforioni, fryt i brishtë i një dashurie të magjishme. Euforioni fluturon, rrëzohet dhe vdes. Bashkë me të vdes edhe Helena. Gëte i këndon guximit dhe heroizmit të Euforionit (aludim për fatin e Bajronit të vdekur në Greqi). Akti IV. Veprat e Faustit në dobi të njerëzimit. Fausti kthehet në pallatin e Perandorit dhe e shpëton atë nga një luftë. Për këtë ai merr si shpërblim sipërfaqe toke në bregdet. Kështu nis veprimtaria e tij në dobi të njerëzimit: than moçale, hap toka të reja, ndërton qytete dhe ferma të mëdha, harton projekte të reja për të tharë moçale të tjera, për t’u dhënë tokë miliona njerëzve që do të jetojnë aty të lirë. Në këtë mënyrë, ai lë gjurmë në tokën ku jeton. AKTI V. Fausti kolonizator dhe utopist. Në aktin e fundit Fausti është plak. Për realizimin e projekteve të tij kanë punuar mijëra vetë dhe, për t’i përmbushur, Mefistofeli ka përdorur piraterinë e forcën. Brenga e viziton Faustin, e qorton për gabimet e bëra dhe e verbon. Lexuesi e mëson veprimtarinë e Faustit nga ai vetë, nga Mefistofeli dhe nga tregimi që çifti Filemon dhe Baukida i bëjnë mikut të tyre shtegtar. Episodi i Filemonit dhe Baukidës, në fund të pjesës së dytë të tragjedisë, konfirmon dhe sqaron kuptimin e ngjarjes së Margaritës. Vdekja e Faustit. Vuajtjet fizike, pleqëria dhe verbimi nuk e pengojnë Faustin për asnjë çast të punojë për të mirën e njerëzimit. Sipas Faustit, lumturia nuk është magjia fluturake, por veprimtaria në dobi të njerëzimit e të shoqërisë. Ai e ndien veten të lumtur kur përfytyron lumturinë e miliona njerëzve që do të jetojnë e punojnë në tokat që ai ia shkëputi detit. Marrëveshja e tij me djallin mbaron. Mefistofeli e humb bastin. Vepër alegorike?Fausti është një vepër heterogjene (mbase edhe në mendjen e Gëtes), e kompozuar në mënyrë jo të vazhdueshme. Ajo është një vepër e pasur me ide që sjellin reflektime dhe meditime edhe te njeriu i ditëve të sotme. Interpretimi alegorik: Fausti, me etjen e tij për dituri dhe lakminë për kënaqësi, është simbol i gjithë njerëzimit në luftë mes ankthit të së mirës dhe tundimit të së keqes. Interpretimi historik: Fausti është rebelim i Gëtes dhe i brezit të tij ndaj racionalizmit të ftohtë të iluministëve, ekzaltim i freskisë së imagjinatës dhe i pasurisë së përvojës. Vendi dhe kohaVepra ndahet në dy pjesë dhe ngjarjet zhvillohen mes shekullit XV dhe XVI në vende shumë të ndryshme mes tyre dhe në ambiente herë reale e herë imagjinare. Koha e kapërcen realitetin: e shkuara, e tashmja, e ardhmja, historia dhe miti, përzihen në një dimension tipik për magjinë.46

