Page 113 - Demo
P. 113


                                    TË LEXUARITDëshmi që provojnë se “Meshari” është hartuar nga Gjon BuzukuNga një studim i vëmendshëm i teksteve dhe i renditjes së lëndës në veprën e Buzukut nuk është e vështirë të nxjerrësh përfundimin se vepra e njohur si “Meshari”, në qenësinë e vet, është e hartuar nga ai vetë. Këtë, në një mënyrë ose në një tjetër, na e thotë vetë Buzuku në Pasthënien, ku përmend se mbi të gjitha dëshironte të mbaronte veprën që t’i pëlqente Hyjit: “E u mā duo të mbaronj vepërënë teme, Tinëzot tue pëlqyem”. Pra, vepra e Buzukut është hartuar nga ai – është një zgjedhje tekstesh biblike, liturgjike e rituale që përdoren në kishë gjatë vitit liturgjik, po ka edhe tekste të tjera që nuk i përkasin drejtpërsëdrejti liturgjisë. Për këtë gjë Martin Camaj shkruan “Njëmend, Buzuku i shfrytëzoi tekstet e këtilla biblike po më tepër se një përkthyes shpeshherë duhet të çmohet si një hartues (kompilator), ngase si prift i shkolluar ka pasur para vetes përherë Shkrimin e Shenjtë në latinisht. Nga ky fakt do të shpjegohej pjesërisht llojshmëria e tingujve stilistikë që në bazë të një leximi të kujdesshëm lë përshtypjen e një hartimi (komponimi) të karakterit të mozaikut”. Edhe G. A. Loria Rivel e quan veprën e Buzukut “përmbledhje” dhe autorin e saj e vlerëson në “cilësinë e përmbledhësit”. Në përkthimet e teksteve biblike, liturgjike, lutjeve e litanive të përfshira në veprën e Buzukut, herë-herë ka përshtatje – shmangie të qëllimshme nga teksti i origjinalit latin, siç thotë dhe Selman Riza “Shmangiet e vetëdijshme të Buzukut nga origjinali latin në vetvete nuk janë as të pakta e as të parëndësishme”. Dëshmia kryesore që “Meshari” është vepër e mbarështruar, e hartuar nga Gjon Buzuku, janë disa tekste të hartuara nga ai në formën e lutjes-uratës, himnit, që për nga mënyra e të shprehurit të objektit të trajtuar, afrohen me Psalmet dhe mund të merren edhe si poezi. Ato nuk mund të jenë përkthyer nga ndonjë tekst konkret i një gjuhe tjetër. Nga analiza gjuhësore dhe stilistike që i bëri veprës së Buzukut, Martin Camaj vërejti ndryshime të disallojshme gjuhësore dhe të stilit në disa pjesë të saj: “Siç u tha edhe më parë, shumë pjesë të Ungjillit e të Besëlidhjes së Vjetër, duke lënë anash ndonjë psalm, ndryshojnë në gjuhë dhe stil, në rend të parë nga lutjet e gjithë veprës e pastaj të Shërbesave (Uficci) e nga Rituale cum catechesi. Në të vërtetë, në lutjet e “Mesharit” ndihet shumë ndikimi i tekstit latin, qoftë në leksik, qoftë në shtjellim, kështu që më shumë përngjajnë me një skicë, sesa me një përkthim të vërtetë e të mëvetësishëm. Për këtë arsye pas një analize të vëmendshme të “Mesharit”, nuk më bind mendimi i Çabejit se i gjithë ky libër është vepër individuale e një autori (shkrimtari) të vetëm”.ANALIZË TEKSTI ARGUMENTUES111
                                
   107   108   109   110   111   112   113   114   115   116   117