Page 114 - Demo
P. 114
Edhe Dhimitër S. Shuteriqi, duke mbështetur mendimin e M. Camajt shkruan: “Meshari i Buzukut do parë si një vepër komplekse, në prozë, pak edhe në poezi, me përkthime, po edhe me pjesë origjinale ndofta edhe me tekste jo vetëm nga Buzuku, por edhe nga autorë të tjerë ose shqipërues, që mbeten anonimë, prej të cilëve Buzuku huazoi, por edhe u përpoq t’i adaptonte në shqipen që ai shkruante vetë”. Dukuria përligjet edhe nga krahasimi i teksteve të tri varianteve të psalmit 130 me tekstin latin dhe hebraik. Kjo gjë do të thotë se Gjon Buzuku nuk mund t’i përkthente këto tri variante të psalmit. Edhe përdorimi i formave të ndryshme të fjalëve: Sinzot, Tinëzot, Tenëzonë, Zotynë etj. , dëshmon për mundësinë që disa tekste të jenë përkthyer nga autorë të ndryshëm e më pak që ato ato t’i ketë bërë Buzuku në kohë e në rrethana të ndryshme, siç pohojnë disa studiues. Është e vështirë të thuhet se katër trajtat e përmendura i përkasin të njëjtit dialekt, në rastin konkret atij geg. Nga ajo që u tha, mund të nxirret përfundimi se vepra e Buzukut është një zgjedhje – përmbledhje tekstesh të karakterit e të llojeve të ndryshme biblike, liturgjike, lutjesh e litanish, ku tekstet që përdoren në kremtimin e meshës (edhe pse jo me të gjithë përbërësit e rëndësishëm), bëjnë pjesën më të madhe të saj. Vepra e Buzukut nuk është një libër i mirëfilltë doktrinar as vetëm liturgjik, as libër i mirëfilltë meshe. Ajo që veprës së Buzukut ia shton edhe më shumë vlerën dhe i jep mëvetësi e origjinalitet, janë rreth katërqind ndërhyrje në shqip të autorit, të futura ndërmjet teksteve. Këto pjesë janë të natyrës sqaruese, shpjeguese dhe udhëzuese, që natyrisht nuk janë të panjohura për librat e natyrës së tillë, sidomos të mesharëve. Besoj se edhe këto tekste e ndërhyrje, përligjin faktin se libri i Buzukut është hartuar e shtjelluar nga ai dhe nuk është vetëm përkthim, siç është thënë deri më sot. (Anton Nikë Berisha, “Meshari vepër e hartuar nga Gjon Buzuku”)112

