Page 13 - Demo
P. 13
TË LEXUARITFizionomia e dyfishtëTrajta patetike e heroit. E tillë mund të përfytyrohet gënjeshtra e tij e mermertë, një legjendë piktoreske: kryet e heroit që pritet ngultas përpara, një ballë i lartë, i fryrë, i brazduar tejendanë prej mendimesh të zymta, një perçe e valëzuar flokësh që i derdhet qafës së plotë e muskuloze. Përmes vetullave vëngoshe i shkreptin një vështrim fajkoi, çdo muskul mbi atë fytyrë energjike shpreh vullnet, shëndet, fuqi. Mustaqet që i gremisen buzëve të rrepta burrërore dhe gusha simpatike, të ngjallin në kujtesë fizionominë e luftëtarit të hordhive barbare, ashtu si, padashur, ajo kokë e madhe prej luani të ndërmend portretin e frikshëm e kanosës të një vikingu, me bri, mburojë dhe shtizë ndër duar. Kështu, i madhuar në përmasat e një mbinjeriu gjerman, të një Prometeu antik, trashëgimtari i një fuqie të farkëtuar për së mbari, dhe të një heremiti gjigant, tërheq ai vëmendjen e skulptorëve e të piktorëve që do ta bëjnë më të kuptueshëm për besëpaktit, për atë shkollë dhe skenë që është mësuar ta dallojë tragjizmin veç nëpërmjet petkut teatror. Por tragjizmi i vërtetë ngulmon të sajojë të tjera shtigje, dhe figura e Niçes, në të vërtetë, vjen pakrahasimisht shumë më pak piktoreske se portretet dhe bustet e tij. Fizionomia e njeriut. Tri herë ka rënë zilka e derës. Kapërcen pragun një figurë e kërrusur me supe të varura, që të kujton një banor gjysmëqorr shpelle, i cili, duke prekur muret hamendas, kap më së fundi dritën e diellit. Një kostum i zi, i pastruar me kujdes; një fytyrë me ca leshra të zeza kaçurrele që i harlisen si drizë; një palë sy po ashtu të zinj, fshehur pas qelqesh gati sferike. I qetë dhe me të drojtur, ai hyn mes derës. Aty për aty dallon tek ai njeriun e mësuar të rrijë në hije, larg shoqërisë dhe dritës, njeriun që përjeton tmerrin nevrastenik para çdo fjale të thënë me zë të lartë, para çdo zhurme. ***Nuk kanë të numëruar britmat e atij kurmi të lëmekur. Lista e pafund e krizave dhe, pas tyre, një përfundim i tmerrshëm: “Në të gjitha moshat e jetës më është dashur të heq një tepri të pabesueshme vuajtjesh.” Dhe vërtet, nuk i ka mbetur torturë diabolike pa kaluar në këtë tërësi vrastare sëmundjesh: dhembje koke, që për ditë me radhë e mbërthejnë pas kanapesë dhe shtratit, të therura në stomak, të shoqëruara me migrenë, ethe, mungesë oreksi, pafuqi, krizë, drithma, djersë të ftohta nëpër net dhe marrje mendsh. Si të mos mjaftojnë këto, e zë kusuri edhe me “sytë e verbuar në tri të katërtat e tyre” që pas çdo trysnie sado të vogël aty i buhaviten, aty dhe i lotojnë, duke e detyruar robin e punës mendore “ta shfrytëzojë dritën e syrit jo më shumë se një orë e gjysmë në ditë”. Po s’ia ka ngenë Niçja higjienës së shëndetit, dhe pa dhjetë orë të mira pune nuk shkulet nga tryeza e shkrimit. Truri i tij i tejnxehur sikur rreh të hakmerret ndaj dhembjeve të tmerrshme të kokës dhe ngacmimeve nervore: mbrëmave, kur trupi i lyp qetësi, mekanizmi i tij nuk ndalon menjëherë, por vijon të punojë duke i nxitur halucinacione gjithfarësh, gjersa barnat e pagjumësisë ta kenë palosur dhunshëm shtratit. Dhe përsëri një garë e shfrenuar, e pamëshirshme mes organeve të sëmura për t’i rrëmbyer njëri-tjetrit topthin e vuajtjeve. Organizmi i Niçes, prej natyre, ishte i fortë e i qëndrueshëm, shtylla e tij kurrizore sikur ishte e prerë për ngarkesa të rënda: rrënjët e tij zgjateshin thellë truallit të shëndoshë të ANALIZË TEKSTI PËRSHKRUES11

