Page 163 - Demo
P. 163
Shkrimi i letrës së motivimitHartoni një skicë për letrën tuaj të motivimit. Organizoni mendimet, duke i strukturuar në paragrafë të veçantë sipas tri pjesëve: hyrje, zhvillim, mbyllje.Sapo të keni organizuar mendimet, duhet të filloni të shkruani draftin e parë të letrës suaj. Kuptoni se ky është vetëm një draft i parë; do t’ju duhet të bëni rishikime para se të jetë gati për ta dërguar. Kërkoni kritika konstruktive nga burime të besueshme, këshillohuni me profesorë apo studentë që aktualisht janë pranuar në universitetin ku po aplikoni. Rishkruani letrën disa herë, derisa të marrë formën e dëshiruar.Hiqni frazat apo fjalitë e tepërta, si dhe informacione që nuk janë të përqendruara drejtpërsëdrejti në idenë kryesore të letrës. Mesatarisht, letra duhet të jetë vetëm një faqe e plotë në gjatësi. Strukturimi i letrës së motivimitAdresoni letrën sa më saktë që të jetë e mundur. Drejtojuni marrësit, duke përdorur gjuhë formale, p.sh.: “I nderuar zotëri, apo e nderuar zonjë”. Bëni të qartë qëllimin e letrës. Paragrafi i parë i letrës përbëhet nga një deri në tri fjali dhe përmbledh shkurtimisht dhe qartësisht qëllimin e letrës. P.sh.: “Po ju shkruaj në lidhje me interesin tim për Programin ABC që Universiteti X ofron”. Gjatë shtjellimit, duhet t’i shpjegoni komisionit që shqyrton aplikimet arsyet e zgjedhjes suaj. Ju duhet të shpjegoni gjithashtu, pse duhet t’ju zgjedhin ndër kandidatët e tjerë të mundshëm. Pavarësisht se CV-ja juaj do t’i bashkëngjitet letrës së motivimit, mund të përdorni apo referoni në të dhënat e saj, por jo ta riprodhoni atë.Në paragrafin përmbyllës shprehet mirënjohja për kohën dhe vëmendjen e kushtuar letrës suaj, duke përdorur fraza formale (p.sh.: “Me respekt”; “I juaji”) dhe duke shkruar emrin tuaj të plotë. Mos harroni të nënshkruani. Kini kujdes! Mos kopjoni modelet e gatshme, por shfrytëzojini ato thjesht si ndihmëse. Ju duhet të tregoheni origjinalë dhe të sinqertë për atë që deklaroni. Shmangni ekzagjerimin e përvojave të kaluara ose të kualifikimeve që nuk janë me interes për lexuesit e letrës. Rishikimi i letrës së motivimitKontrolli i përmbajtjes nëpërmjet pyetjeve: A e shpreh qartë letra e motivimit qëllimin tuaj? A keni dhënë në të informacionet e duhura që argumentojnë arsyet se përse duhet të pranoheni ju, ndër kandidatët e tjerë?A ka koherencë mes fakteve dhe rrjedhshmëri në renditjen e tyre? Kontrolli i formës nëpërmjet pyetjeve: A është përdorur një fjalor i pasur? A janë shmangur frazat klishe apo terminologjia? A është letra juaj e motivimit origjinale, pa përsëritje frazash të zakonshme? A është e organizuar ajo në paragrafë sipas udhëzimeve?161

