Page 172 - Demo
P. 172
MATERIALE PLOTËSUESEPërdorimi i emrave të përveçëm të huaj në gjuhën shqipe, si në të folur, ashtu edhe në të shkruar, sa vjen e bëhet më i dendur, krahasuar me vitet e mëparshme të shekullit që lamë pas. Hartimi i rregullave të drejtshkrimit të shqipes, botuar në vitin 1973, parashikon që si fjalët e huaja, ashtu edhe emrat e përveçëm të huaj, të shkruhen ashtu siç shqiptohen në gjuhën prej nga vijnë, por sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes.Kjo do të thotë që emri i shkrimtarit të njohur William Shakespeare të ndjekë shqiptimin e gjuhës nga vjen, pra të anglishtes, por të shkruhet, ashtu siç shqiptohet sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes, pra Uilliam Shekspir. E duke qenë se në gjuhën shqipe emrat e përveçëm lakohen, është e natyrshme që këtë emër ta gjejmë në trajtat: Shekspir, Shekspiri, i/e Shekspirit, Shekspirin etj. Pra, kështu, do të respektoheshin rregullat e drejtshkrimit, të theksimit dhe të morfologjisë së shqipes.Kohët e fundit, vihet re një prirje e theksuar për të ruajtur trajtën shkrimore origjinale të emrave të huaj, ndonëse kjo, parimisht, nuk është në përputhje me rregullat e drejtshkrimit të shqipes. Kështu në kopertinat e librave shohim gjithnjë e më dendur të shkruhet, për shembull: Albert Camus dhe jo Albert Kamy, Jahn Paul Sartre dhe jo Zhan Pol Sartri, James Joyce dhe jo Xhejms Xhojsi, Donald Trump dhe jo Donald Trampi etj.Në shumë vende të Evropës, por edhe më gjerë, emrat e autorëve dhe të personaliteteve të ndryshme politike, shkencore, si dhe të artit në përgjithësi, shkruhen në trajtën e tyre origjinale, pra si në gjuhën prej nga vijnë. Fakti që edhe në gjuhën shqipe, sa vjen e ndiqet kjo prirje, ndonëse duke iu kundërvënë rregullave drejtshkrimore në fuqi, flet qartazi për nevojën e rishikimit dhe të përditësimit të këtyre rregullave, për t’iu përshtatur nevojave të reja të kohës. Në ditët e sotme, shumë prindër shqiptarë, të cilët banojnë jashtë vendit, por edhe në Shqipëri, zgjedhin emra të huaj për fëmijët e tyre, emra që mund të shqiptohen ndryshe nga ç’shkruhen, si: Jeny (Xheni), John (Xhon), Melissa (Melisa), Celeste (Çeleste) etj. Nga SUGJERIM PËR SHKRIMIN E EMRAVE TË PËRVEÇËM TË HUAJVini re përdorimin e emrave të përveçëm në tekstin e mëposhtëm, të shkëputur nga një e përditshme shqiptare. Vdes fizikani i njohur Stephen Hawking“Stephen Hawking, mendja e shkëlqyer e të cilit shkonte në kohë dhe në hapësirë edhe pse trupi i tij ishte paralizuar nga sëmundja, ka vdekur në moshën 76-vjeçare”, – tha një zëdhënës i familjes, të mërkurën herët në mëngjes. Fëmijët e tij, Lucy, Roberti dhe Timi thanë në një deklaratë se “ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojë për shumë vjet”. Stephen Hawking ka shkruar kaq qartë për misteret e hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza, saqë libri i tij “Një histori e shkurtër e kohës” u bë një nga librat më të shitur ndërkombëtarë, duke e bërë atë një prej njerëzve më të famshëm të shkencës, që prej Albert Einsteinit.170

