Page 174 - Demo
P. 174
MATERIALE PLOTËSUESE1. Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës është ndër katër ngjarjet kombëtare më të mëdha historike, gjuhësore e letrare, kulturore e arsimore, shtetformuese, së cilës i janë referuar dhe do t’i referohen studiuesit e historisë, të gjuhësisë, të letërsisë e folklorit, të didaktikës dhe kulturës. Tri ngjarjet e tjera me synime të hapura njësuese, konverguese, kombëtare, shtetformuese janë, pa dyshim, Kongresi i Manastirit (1908), i cili, me mënjanimin e alfabeteve të tjera shprehu në mënyrë të qartë idenë dhe vullnetin e shqiptarëve se uniteti i alfabetit, uniteti i gjuhës dhe uniteti i kulturës kanë qenë dhe janë kërkesa që përligjin dhe e bëjnë funksional unitetin politik të kombit. Ngjarja e dytë është Kongresi i Elbasanit (1909) dhe hapja e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për mësimin e gjuhës shqipe. Vendimet e tij kishin të bënin me mbrojtjen e gjuhës dhe vënien në zbatim të alfabetit të Manastirit, me përgatitjen e mësuesve, me hartimin e teksteve për mësimdhënien në gjuhën amtare, në të gjitha lëndët dhe kategoritë e shkollave. Ngjarja e tretë e rëndësishme është Kongresi i Drejtshkrimit (1972) me gjithë hapat e mëtejshëm për të realizuar gjuhën standarde, si një vepër ku kombi do të realizojë për shtetin a shtetet e tij një konvergjencë gjuhësore njësuese në administratën publike, në shkollë dhe në media. Natyrisht, në harkun e këtyre ngjarjeve madhore dhe në përmbushje të synimeve të tyre ka pasur përpjekje të tjera të rëndësishme dhe me arritje të pamohueshme.1Ajo që i bashkon këto ngjarje është fakti se çështja gjuhësore nuk ka qenë qëllim në vetvete dhe për vetvete; ajo shërbente si mjet për një qëllim më të madh: njësimi i alfabetit ishte një fillim për njësimin e gjuhës si mjet, për të mbërritur mandej te njësimi i kombit nëpërmjet shkollës, letërsisë e kulturës, me qëllim që të vihej më mirë në qarkullim dija kombëtare shtetformuese, si pronë e bashkësisë, për të realizuar unifikimin e vetëdijes si komb; një ëndërr në rrugëtimin që prej Rilindësve tanë e këtej.21 Ndër ngjarjet e tjera madhore gjuhësore e arsimore të njëqind e ca viteve të fundit, mund të citohen: Shoqëria e Stambollit (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899) dhe Shoqëria “Agimi” (1901), Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920), Kongresi Arsimor i Tiranës (1922), Kuvendi i Parë i Studimeve Albanologjike (Tiranë, 1940), Instituti i Studimeve Shqiptare (Tiranë, 1940), Instituti i Gjuhësisë (Tiranë), Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 1968). Ndër to, më të rëndësishmet, që lidhen drejtpërdrejt me standardin e gjuhës shqipe janë Kongresi i Manastirit (1908), Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918) dhe Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (Prishtinë, 1968). 2 S. Frashëri, (Gjuha shqip, në Alfabetare e gjuhësë shqip, Konstandinopojë, 1879, f. 9.) do të shprehej se: “Komb’ i shqipëtarëvet, nga të mos shkruarët” e gjuhës së vet, ka humburë gjer më sot më të shumtët’ e njerëzet..., kohë e sotme nukë ngjan me kohërat e vjetra; sot kombetë piqen’ e përzjehenë fort çpejt, edhe ata që janë më të fortë e më të diturë mundinë kudoherë ata që janë të dobët’ e më të paditurë”; F. Konica (Armiqt’e Kombit, Albania, nr. 2, 1903, f. 20) thotë se ata “dhanë pemë të bukura: dhjetë libra të mira për shkollë, gjuhë e qëruar dhe e shtruar në Shqipëri të Sipërme, dashuria e mësimit kombëtar e ndezur ditë për ditë në zemrat...”; Shoqënija Letrare “Bashkimi” (Vëllazënvet Shqipëtarë, Diftim, A.SH., f.44, D. 19, f 3-4.) thekson se qëllimi ishte “Per me mujtun me livrue e me zhvillue gjuhën shqype, e me ndihmë të saj me i dhanë shkas e sulm nder ne përparimit e qytetërimit”. Ajo u kërkonte shqiptarëve të krijonin një bashkim të vërtetë “i unjishëm që të përfaqësojë gegë e toskë ... tue i dhamë dorë shoqi-shoqit” etj.KOMISIA LETRARE SHQIPE E SHKODRËS172

