Page 175 - Demo
P. 175


                                    2. Nga këto katër ngjarje Komisia Letrare Shqipe hedh për herë të parë themelet e një politike gjuhësore, në kuptimin teorik të këtij koncepti, po të mbajmë parasysh se për herë të parë kemi një mbështetje institucionale nga Komanda austro-hungareze me synime të qarta në këtë drejtim. R. Elsie thekson se Komisia Letrare Shqipe u ngrit prej austro-hungarezëve “...me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral, për të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit, si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe 3”. Një pohim të tillë e mbështet edhe T. Osmani kur shprehet se: “Vendimi për miratimin e Komisisë ishte marrë më 30 korrik 1916, sipas vendimit nr. 737 të dokumenteve ushtarake austriake. Po në këtë dokument thuhej se ajo do të mblidhej në selinë e korpskomandës austriake në Shkodër4 . Edhe Pal Duka-Gjini pohon se “Dëshiri dhe përkrahja e Austrisë për të mëkambë gjuhën shqipe u dhanë zemër veteranëve të kombit për punë përherë e ma të vlershme në këtë drejtim”5. Studiuesi T. Osmani e jep të plotë përmbajtjen e saj kur thekson se ajo (kupto Komisia...) ishte “një institucion me vlera të veçanta shkencore, historike, gjuhësore, letrare, arsimore dhe kulturore për kohën, (ajo, shën. ynë) u karakterizua nga atdhetarizmi i anëtarëve, diskutimi me seriozitet, me kompetencë shkencore, larg qëndrimeve të ngushta lokaliste të problemeve shumë të mprehta të gjuhës, letërsisë dhe të kulturës sonë, duke dhënë zgjidhje sa shkencore, aq edhe të pranueshme, veçanërisht për gjuhën shqipe. Atë e dalloi mirëkuptimi dhe debati në përcaktimin e bazës dialektore të gjuhës së shkruar shqipe, duke i shërbyer afrimit të dialekteve dhe gjuhës së shkruar me gjuhën e folur, duke u përpjekur për të gjetur forma me shtrirje të gjerë përdorimi, por që pasqyrojnë më mirë strukturën fonetiko-gramatikore të shqipes, në hartimin e rregullave drejtshkrimore dhe të problemeve të tjera të rëndësishme të kulturës sonë, të letërsisë dhe arsimit kombëtar”6.Këtë qëllim e përmbush në mënyrë të plotë vepra e tij Komisia, e cila në këndvështrimin tonë shpërfaq tri synime themelore. Së pari, nga pikëpamja strukturore ajo jep në mënyrë të detajuar kushtet historike, pjesëmarrësit, synimet, punën e saj, botimet e Rregullave për ortografinë e gjuhës së shkrueme dhe të organit Laimet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, regjistër protokollar i saj, arritjet në fushën e terminologjisë, të teksteve shkollore, në lëvrimin e zhvillimin e letërsisë, si dhe organizimin e bibliotekës shqiptare. Këtë analizë profesor T. Osmani e përqas me materialin faktik origjinal, të mbledhur me kujdes, të cilin ia vë në dispozicion çdo studiuesi, si për të dëshmuar sa për vërtetësinë e analizave të veta, aq edhe për të na e shkurtuar kohën për gjetjen e tij nëpër arkiva. Së dyti, autori bën pjesë të kësaj monografie edhe tri shoqëritë atdhetare: “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” në Stamboll, Shoqëria “Bashkimi” dhe Shoqëria “Agimi”, këto dy të fundit me veprimtari qendrore në Shkodër e me thuajse të njëjtët protagonistë në pjesën më të madhe edhe në Komisinë Letrare Shqipe, po në Shkodër. Veç këtij substrati kulturor, monografia na jep një paraqitje të detajuar të studiuesve, që janë marrë me këtë çështje, duke filluar me protagonistët dhe gjithë studiuesit e tjerë që i janë referuar Komisisë në punime të ndryshme, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në kuadrin e studimeve që lidhen me rolin e ndikimin e saj. Së treti, the last but not least, studiuesi Osmani jo vetëm strukturon materialin burimor me atë teoriko-kritik, por shfaqet me vlerësimet origjinale, si ndaj materialit burimor, ashtu edhe ndaj qëndrimeve të studiuesve të tjerë, duke e bërë monografinë e tij një studim të natyrës epistemologjike.3 R. Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë - Pejë, 1997, f. 285.4 T. Osmani, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, Shtëpia botuese Camaj-Pipa, Shkodër, 2009, f. 20.5 Pal Duka-Gjini, Gjergj Fishta, jeta dhe veprat, 1992, f.100.6 T. Osmani, vep. cit. f. 92.173
                                
   169   170   171   172   173   174   175   176   177   178   179