Page 178 - Demo
P. 178
dhe korrespondentëve të saj, plot 63 mbledhje për të diskutuar çështje që lidheshin me kodifikimin e drejtshkrimit, të gramatikës dhe të leksikut e terminologjisë, si dhe lëvrimit e zbatimit të këtyre rregullave në aktet zyrtare, në shkollë e në literaturën e shkruar.Në mbledhjen e datës 13.11.1916 u vendos hartimi i “një ortografie sa më të përbashkët për të dyja dialektet”21, në themel të së cilës do të ishte parimi fonetik i zbatuar në të folmen e Elbasanit, me ndryshime racionale që synonin zbutjen e dallimeve dialektore. Më 29 janar 1917 u miratua kodi i parë drejtshkrimor “Parime e rregulla mbi orthografinë e gjuhës së shkrueme”. Ndër hapat e rëndësishëm në fushë të drejtshkrimit për të ardhmen e standardit të sotëm ishte mbështetja e vendimit që ishte marrë që në Kongresin e Manastirit për mënjanimin nga alfabeti i zanoreve të gjata e të shkurtra, si dhe të hundorësisë, dukuri këto me shtrirje të gjerë për gegnishten. U pranuan në drejtshkrim togjet ie, ue, ye, që në gegnishte ishin monoftongizuar, por që në ribotimin e Rregullave u hoqën; u pranuan gjithashtu të shkruheshin grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj, duke afruar më tej drejtshkrimin me toskërishten. Lidhur me zanoren ë të patheksuar u kërkua që të kishte një hapësirë më të madhe, edhe në ato pozicione, ku, përgjithësisht, në gegnishte ishte bjerrur ose ishte zbehur ndjeshëm. Për këto raste u mbajt si parim kriteri etimologjik sipas dëshmisë së tyre edhe në gegnishten e hershme22 .Për këtë çështje T. Osmani do të shtonte: “Për përdorimin e ë-së Komisia dha zgjidhje të kënaqshme, ndonëse ishte një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur përfundimisht, meqë ishte e kushtëzuar nga shumë faktorë dhe nga vetë zhvillimi i gjuhës letrare shqipe në atë kohë”23. Këto vendime e shtruan rrugën për drejtshkrimin e standardit të sotëm.Edhe në fushën e gramatikës u shënuan arritje të rëndësishme. Sipas mbledhjes së datës 8 maj 1918, për format gramatikore të gjuhës do të merreshin për bazë shkrimet e K. Kristoforidhit, kurse për ato forma që nuk gjendeshin në këto shkrime do të vendoste vetë Komisia. U konceptuan ndërhyrje drejtshkrimore për rasat gjinore e rrjedhore të përemrave unë dhe ti; për përemrat ky, kjo jepen edhe trajtat e vjetra si forma dytësore (kësi, këso, kësish, kësosh), kurse për përemrat dëftorë ai, ajo, krahas formës së plotë në gjinore e rrjedhore, u pranua edhe forma e shkurtuar pa a (atij/tij asaj/saj etj.); u hartua edhe pasqyra e paradigmave të përemrave vetorë, duke përfshirë trajtat e shkurtra të dhanores e kallëzores. Gjithashtu, trajtat e shkurtra të përemrave vetorë në pozicion enklitik të shkruhen bashkë (epmë), kurse me trajtë të bashkuar do të përdorej forma epia dhe jo epja. Për trajtat e bashkuara u mbajt apostrofi (m’i), por u ruajt pa apostrof trajta ma, ta (me ndërhyrje të Mjedës). U ruajt gjithashtu e njëjta formë për emrat me temë më bashkëtingëllore, të cilët do të shkruheshin me bashkëtingëllore të zëshme (zog/u).Parimet e drejtshkrimit do të zbatoheshin edhe në leksik. Në mbledhjen e datës 29 janar 1917, krahas miratimit të 9 neneve me Parime e rregulla mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme, u hodh edhe hapi i parë drejt leksikut normativ të gjuhës së njësuar, duke hartuar edhe një listë fjalësh që do të shkruheshin me grupet e bashkëtingëlloreve mb (104 fjalë) dhe nd (173 fjalë).Në botimin e parë të Laimet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, krahas problematikave të veprimtarisë së Komisisë, me qëllim përkujdesjen për lëvrimin e gjuhës shqipe, u botua fjalësi me grupet mb e nd si dhe një fjalorth me terma juridikë prej 355 fjalësh, si dhe pjesa e parë e veprës së Fishtës Juda Makabeu. Në numrin e dytë të “Laimet” u botuan 500 terma të fushës juridike e administratës politike, si dhe 200 terma të matematikës. Lidhur me sa parashtruam më sipër, studiuesi T. Osmani vëren se “Komisia ka bërë një punë të veçantë edhe për hartimin e termave të disiplinave të ndryshme, që me sa bëhet e ditur, mund 21 Cit. sipas T. Osmani, vep. cit. f. 58. 22 E. Çabej, Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes, “Mësuesi”, 13. 12. 1992. 23 T. Osmani, vep. cit. f. 60.176

