Page 181 - Demo
P. 181
shmangur sa të jetë e mundur gjurmë të mundshme të ideologjisë shtetërore, u pa e arsyeshme të ndërtohej një korpus këngësh që ishin kënduar në një festival si “Kënga Magjike”. Çfarë na flasin tekstet e këngëve të dashurisë?Për të krahasuar tekstet e këngëve gjatë dhe pas komunizmit, me anë të përpunimit kompjuterik të të dhënave bëhet një renditje e fjalëve sipas shpeshtësisë (frekuencës) së përdorimit të tyre. Ja cilat janë disa nga aspektet më interesante dhe fjalët më të shpeshta e kyçe për tekstet e të dyja grupeve. Fjala dashuri në këngët e “Festivalit të Këngës” përdoret më shpesh se në tekstet e festivalit të “Këngës Magjike”. Dhjetë fjalët më të shpeshta në këngët e dashurisë të këtij festivali janë: 1. zemër, 2. dashuri, 3. fjalë, 4. ditë, 5. jetë, 6. fund, 7. herë, 8. lamtumirë, 9. shpirt, 10. sy. Ndërsa në tekstet e kohës së komunizmit 10 fjalët që përdoren më dendur janë: 1. jetë, 2. dashuri, 3. sy, 4. zemër, 5. lule, 6. këngë, 7. dritë, 8. pranverë, 9. grurë, 10. vajzë. Lista e fjalëve nga tekstet e “Festivalit të Këngës” të bën të kuptosh se në ç’mënyrë idilike i këndohej dashurisë. Veç kësaj me një denduri të lartë në këtë korpus dalin edhe fjalë kyçe, si: aksion, fabrikë, uzinë, e re, i ri, fusha, shok, shoqe, miniera, të cilat janë tregues të gjurmëve të ideologjisë së kohës në tekstet e këngëve. Fjalët me frekuencë të lartë, por edhe fjalët kyçe na vijnë në ndihmë për të përvijuar për secilin rast skemën konjitive, që është një lloj kornize ku brendashkruhen qëndrimet, opinionet e këndvështrimet, të cilat në thelb kanë natyrë ideologjike. Kjo do të thotë se përmes teksteve të këngëve, publikut të tyre i përçohet një skemë konjitive për dashurinë. Skema konjitive e historisë së dashurisë gjatë komunizmit, do të ishte kjo: “Të dashuruarit i drejtohen njëri-tjetrit me “shok” dhe “shoqe”, njihen/ takohen në aksion ose fushave me grurë, duan të jetojnë në këtë jetë të re, ditë të re, me një motiv të ri, dhe jetojnë të lumtur në këtë vend plot me fabrika, uzina, miniera e dritë!” Në këtë skemë, qëndron idili kapërthyer me patetizëm, teksa ideologjia e komunizmit është e dukshme dhe bëhet edhe më e efektshme prej emocionalitetit të këngëve të dashurisë, duke ndikuar kështu në formësimin e identitetit social të atyre që i dëgjonin e i këndonin ato. Studimet rreth teksteve të këngëve tregojnë se tekstet e këngëve të shkruara e kënduara në kohë të vështira, kanë prirjen të jenë më romantike dhe të përqendrohen tek e ardhmja. Në korpusin e këngëve të kohës së komunizmit, një ndër fjalët kyçe që ilustron këtë lloj prirjeje, është lema I RI, E RE, ku mbiemri shërben si cilësor i kohës së re, jetës së re, dashurisë së re dhe i motivite premtimit të ri. Të gjitha këto shfaqje janë në përputhje me skemën ideologjike të njeriut të ri komunist, që mbizotëronte në të gjithë diskursin e komunizmit e që rrjedhimisht hyn e gjëllon dhe në fragmentet e diskursit të dashurisë. Përkundër dendurisë, në 35 këngët e dashurisë të festivalit të “Këngës Magjike”, mbiemri i ri shfaqet vetëm dy herë. Doemos, dashurisë nuk i këndohet për ndonjë arsye të re. Nuk duhet lënë pa theksuar se edhe në tekstet e këtyre këngëve, megjithëse nuk kemi të bëjmë me gjurmë të ideologjisë shtetërore, komuniste, prapëseprapë ndërtohet një skemë konjitive për raportin dashuror. Marrëdhënia mund të shkojë mirë, ajo është shpirtërore e kur këndohet për të motivet bëhen edhe sensuale, por ajo duket se është më efemere, mund edhe të marrë fund, mund të thuhet edhe lamtumirë, rrjedhë që nuk përvijohet në fragmentin diskursiv të këngëve të kohës së komunizmit. Përqasja mes fjalëve më të shpeshta të secilit korpus dhe analiza statistikore që tregon se frekuenca e këtyre fjalëve nuk është rastësisht e lartë në korpuset respektive, na bën të kuptojmë se çfarë është e rëndësishme dhe me peshë në këngët e secilës kohë, e rrjedhimisht në secilin kontekst kulturor e social, teksa shpalosen modele kognitive e botëkuptimi për dashurinë e mënyrën e të dashuruarit. Tekstet e këngëve të dashurisë të dy kohëve të ndryshme mbajnë gjurmë ideologjish të ndryshme, por nuk mund të gjykohen veçmas kontekstit të gjerë kulturor e shoqëror ku janë thandruar.Dr. Elsa Skënderi-Rakipllari 179

