Page 192 - Demo
P. 192
Alfabeti latin i pastër a i përzier do të ishte edhe më i përdoruri. Siç do të shihet në vijim, një vend të rëndësishëm zënë në këtë drejtim tri alfabetet latine: ai i Stambollit, ai i shoqërisë “Bashkimi”, si dhe ai i shoqërisë “Agimi”. Kishte edhe prirje të tjera, siç është ajo e Hasan Tahsinit, sikundër më parë dhe ajo e N. Veqilharxhit, për krijimin e një alfabeti origjinal.16Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Është e rëndësishme të theksohet se vetë fakti i një pjesëmarrjeje nga të gjitha anët (26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit, 52 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote) dhe mjaft heterogjene17 dëshmonte njëherazi se çështja e unifikimit të alfabetit, e njësimit të gjuhës dhe kombit ishte një shqetësim dhe një dëshirë e thuajse të gjitha qarqeve. Ideja e bashkimit ngrihej mbi veçoritë dhe përplasjet që kishin klubet mes tyre. Diskutimet u përqendruan rreth alfabetit të Stambollit, alfabetit të shoqërisë “Bashkimi” dhe atij të shoqërisë “Agimi”. Hil Mosi, delegat i shoqërisë “Gegëni”, propozoi të krijohej një alfabet i ri, i cili të bashkonte të tri alfabetet. I këtij mendimi ishte edhe Luigj Gurakuqi me mendimin “që të mos i thyhej zemra askujt”.18Komisioni i ngritur ad hoc diskutoi lidhur me tri çështje: a) a do të merrej njëri prej tri alfabeteve, b) a do të kishte një kombinim të të tria alfabeteve për të nxjerrë një alfabet përfaqësues, c) a do të liheshin mënjanë të tri alfabetet dhe do të dilej me një alfabet të ri. Debati u përqendrua rreth faktit për gjetjen e shkronjave latine që t’u përshtateshin tingujve të shqipes. Alfabeti i Stambollit dhe ai i shoqërisë “Agimi” mbështeteshin në parimin një tingull një shkronjë, duke i plotësuar tingujt e tjerë, që nuk kishin gjegjëset e tyre në alfabetin latin, me shenja diakritike. Alfabeti i “Bashkimit” përdorte tashmë dyshkronjëshin për të shprehur tingujt, që nuk gjendeshin në alfabetin thjesht latin. Në përfundim, siç del nga raporti i Gjergj Qiriazit,19 u zgjodhën dy alfabete: ai i Stambollit i ndryshuar dhe një alfabet thjesht latin, që afronte me atë të shoqërisë “Bashkimi”. Në fakt, Komisioni bëri përpjekje t’i afrojë dy alfabetet e pranuara deri në 27 shkronja të përbashkëta, duke ndryshuar edhe alfabetin e Stambollit edhe atë latin të thjeshtë.20 Një rol të rëndësishëm luajti edhe De Rada21 për shkronjën ë, por edhe gj-në e nj-në që u përdor përkohësisht.Ky parashtrim na jep mundësinë për të nxjerrë disa përfundime:Eliminimi nga diskutimi i alfabeteve arabo-turke e greke dhe zgjedhja e alfabeteve me bazë latinishten dëshmon për përhapjen më të madhe të këtij të fundit. Kjo zgjedhje ishte, pa dyshim, më pak një vazhdim tradite e autorëve të vjetër, sesa një shprehje vullneti për të qëndruar larg alfabeteve me të cilat lidheshin vendet që synonin të na asimilonin a të na copëzonin. Një alfabet larg fqinjësisë territoriale e larg alfabetit të pushtuesit ishte një garanci më shumë për një autonomi dhe një pavarësi kombëtare.16 Për më tepër shih: T. Osmani, vep. cit. f. 93-160. 17 M. Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, në Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit (studime, materiale dokumente), f. 34. 18 Fletorja “Liria”, 8 nëntor 1908, Selanik. 19 Shih Raportin e G. Qiriazit, Raporti i Kongresit shqiptar, f. 11. 20 Për më tepër informacion, shih: M. Domi, në Alfabeti..., vep. cit. f. 38, Sh. Demiraj, K. Prifti, vep. cit. f. 40. 21 Shih ndër të tjera: Jup Kastrati, Lufta për njësimin e alfabetit shqip në vitet 1878-1905, në Kongresi i Manastirit (kumtesa), Shkodër, 1969, f. 20-21.190

