Page 98 - Demo
P. 98


                                    Ndonëse në këtë rast, si paraprijësi, ashtu dhe përemri lidhor dalin në rasën emërore, përemri lidhor nuk përshtatet në rasë me paraprijësin, por vihet në atë rasë që e kërkon folja e pjesës së varur. Pra, nuk mund të ndërtojmë një fjali të tillë, si: “Blerta, e cila i dërguam ftesë, nuk erdhi”. Përemri “e cila” duhet vendosur në rasën dhanore, siç e kërkon folja e pjesës së varur: Blerta, së cilës i dërguam ftesë, nuk erdhi.Përemri lidhor “i cili/e cila”, që shërben si mjet lidhës në këto fjali, mund të shoqërohet edhe me parafjalë:Parku, pranë të cilit po ndërtohej aq shumë, e humbi hijeshinë e dikurshme.Për lidhjen e paraprijësit dhe pjesës së varur, shërben përemri lidhor “i cili” i shoqëruar me parafjalën “pranë”. Përemrin lidhor mund ta gjejmë të shoqëruar me parafjalë të rasave të ndryshme, si: nga i cili, me të cilët, për të cilën etj., por duhet të kemi të qartë se kjo përcaktohet nga kuptimi i foljes së pjesës së varur dhe jo nga paraprijësi.Si mjete lidhëse mund të shërbejnë edhe disa ndajfolje lidhore, si në fjalitë e mëposhtme:Sheshi ku do të ngrihej përmendorja, ishte mbushur me njerëz.Më kujtohet ende ajo ditë kur u nisën.Ky ishte shtegu nga kaluan.Si mjete lidhëse, në këto fjali shërbejnë përkatësisht ndajfoljet lidhore: ku, kur, nga, të cilat mund të zëvendësohen me përemrin lidhor të shoqëruar me parafjalë, duke qenë se tregojnë rrethana të kryerjes së veprimit.Fjalitë e përbëra me pjesë të varura përcaktore mund të grupohen në dy lloje kryesore, duke u nisur nga lidhja që pjesa e varur realizon me paraprijësin.Kur pjesa e varur është e domosdoshme për zbërthimin e kuptimit të paraprijësit, apo për saktësimin e mëtejshëm të tij, pjesa e varur përcaktore që e kryen këtë rol do të quhet pjesë përcaktore kufizuese. Ai që s’punon, dheut i rëndon. Në këtë fjali, si paraprijës shërben përemri lidhor “ai”, kuptimi i të cilit, brenda pjesës kryesore “ai, dheut, i rëndon”, është i paqartë. Në këtë rast, pjesa e varur përcaktore, “që s’punon”, fiton rëndësi të veçantë për zbërthimin e kuptimit të paraprijësit, ndaj kjo pjesë quhet pjesë e varur përcaktore kufizuese. Pjesa e varur përcaktore që nuk është e domosdoshme për zbërthimin e kuptimit të paraprijësit, por jep një informacion shtesë rreth tij, quhet pjesë e varur përcaktore shtuese:Kalaja e Shkodrës, rreth së cilës thuren aq legjenda, u mbush me vizitorë të huaj.Në këtë fjali, paraprijësi i shprehur me grupin emëror “kalaja e Shkodrës”, rimerret nga pjesa e varur “rreth së cilës thuren aq legjenda”, por kjo pjesë nuk është e domosdoshme për zbërthimin e kuptimit të tij, pra jepet një informacion shtesë. Dallimi mes pjesëve të varura përcaktore kufizuese dhe shtuese, shfaqet edhe te përzgjedhja e përemrit lidhor: për të parat, përgjithësisht përdoret përemri lidhor “që”, ndërsa për shtueset përdorim më të gjerë ka përemri lidhor “i cili/e cila”.96
                                
   92   93   94   95   96   97   98   99   100   101   102