Page 118 - Demo
P. 118


                                    ndjenjë bipolare, gaz e helm bashkë, që shkakton njëherazi dhembje e lumturi: “helmori gas” e quan poeti në poezinë “Oh, vanë fletët” të ciklit “Zemra e jetës”. Dashuria identifikohet gjithmonë e më shumë me mallin, si një ndjenjë komplekse, që nuk është veç dashuri, por është një dashuri në mungesë, për shkak të kohës që tashmë ka shkuar. Dhe kjo mungesë e kjo largësi, e bën Lasgushin të vuajë deri në skaj, deri atje ku kjo dhembje shndërrohet në poezi (“Haj! mendja ime-e ndjellë prej zërit që të vate/ U bë nga-dale këngë ... dh’u shojt pas këngës sate”). Poeti ndihet gjithsesi i dashuruar, i këndon “mallit të parë” dhe, për të, të ndihet i dashuruar është ajo që ka më shumë rëndësi sesa vetë dashuria. Objekti i dashurisë, vasha, është tanimë edhe “motër”, “motërzë”, çka shpreh në një shkallë të epërme dhembshurinë e përkushtimin ndaj saj. Interesant është fakti që në këtë vëllim, poezia e Lasgushit për dashurinë fiton edhe një përmasë të re, ajo nis të ndihet më e afërt, të komunikojë me lirikën popullore të dashurisë. Heronjtë lirikë të këtyre poezive janë pothuajse gjithmonë vasha e trimi, dy figura që përcjellin në mënyrë besnike tërë larushinë e ndjenjës dhe konceptimit popullor për dashurinë. Mjedisi është gjithashtu tipik shqiptar, ku skenat e idilit të dashurisë vendosen në krua a në mal, por edhe në një kishë të vjetër (“Vate prilli”, “Po qan vasha në shtëpi”, “Kush po shkon ashtu”, “Del ne porta” etj.)Cikli i poezive “Zemra e dherit” (e dhéut) përmbledh dy kategori poezish. Në të parat lajtmotiv është liqeni (“Dremit liqeri”, “Zemra e liqerit”), një element ky identifikues i poezisë dhe i artit të Poradecit. Poezitë e tij për liqenin, nuk janë poezi thjesht të peizazhit. Ato janë më shumë poezi të gjendjes shpirtërore, të paqes së brendshme, të reflektimeve të thella: “Në këtë çast perëndimor/ Ndaj po më dehen sytë-e-mi/ Kuptoj si shpirtin vjershëtor/ M’a frymëzon një mall i ri”. Nga ana tjetër, liqeni është edhe pikëtakimi i tij me vendlindjen, por edhe me fëmijërinë e tij. Kategorinë e dytë të poezive të këtij cikli e përfaqësojnë poezitë atdhetare që i kushtohen Shqipërisë, të cilën e ka bekuar vetë Zoti (“Kuvëndoj me zë të vetë/ Zot’i math e i vërtetë:/ Rrofsh! moj Shqipëri përjetë!”), Vlorës e Ismail Qemalit (“Ç’u mbush mali”), shpalljes së Pavarësisë (“Dita e njëzetetetës”), patriotëve e atdhetarëve (“Asdrenit”).116
                                
   112   113   114   115   116   117   118   119   120   121   122