Page 128 - Demo
P. 128


                                    Që në kohën që studionte në seminar, Migjeni sëmurej shpesh, por gjendja e tij shëndetësore do të përkeqësohej më shumë gjatë periudhës kur bënte me biçikletë rrugën Vrakë-Shkodër, periudhë gjatë së cilës ai do të sëmurej nga tuberkulozi. Gjendja e tij shëndetësore do t’i krijonte një ndjenjë të fortë trishtimi dhe mosbesimi për të ardhmen. Megjithëse u dërgua për mjekim në Sanatoriumin “San Luigji” të Torinos, edhe atje nuk gjeti shërim nga sëmundja e tuberkulozit dhe u nda nga jeta më 26 gusht të vitit 1938, kur ishte vetëm 27 vjeç. Atë kohë, ai do të varrosej në Tore Peliçe, në Torino. Në vitin 1954, 26 vite pas vdekjes së tij, do t’i botohej vepra e plotë, kurse më 5 shkurt të vitit 1956 do të ktheheshin nga Italia në Shqipëri eshtrat e tij, për t’u varrosur sërish me nderime të mëdha në Shkodër.Risitë letrare të krijimtarisë së Migjenit Në kohën kur shkroi Migjeni, letërsia shqipe karakterizohej nga prurje të shumta letrare dhe nga lëvrimi i stileve të shumta, por ai zgjodhi të shfaqej me krijimet e tij në revistat dhe gazetat e kohës në mënyrën e tij krejt origjinale, duke krijuar modelin e tij të shkrimit që është i dallueshëm. Migjeni solli në letërsi një mënyrë të shkruari të dallueshme nga shkrimtarët tradicionalë. Ai ka një stil dhe një mënyrë të rrëfyeri të tipizuar dhe origjinale. Krijimet e tij janë një shprehje artistike e shkrirjes së tipareve të realizmit me nota moderniste. Në këtë mënyrë, ai iu largua formës së shkollës romantike që ishte mbizotëruese, por edhe ndikimeve sentimentaliste e klasiciste. Migjeni ndryshe nga shumë shkrimtarë pararendës nuk ndikohet në krijimtarinë e tij nga folklori, i cili ishte prani shumë e fortë ndikuese në letërsinë shqipe. Ai zgjedh një formë letrare e cila nuk u përshtatet ndikimeve dhe frymës së krijimeve popullore. Ashtu si edhe titulli i përmbledhjes poetike, “Vargje të lira”, ai i krijoi shpesh poezitë e tij në varg të lirë, larg formave tradicionale, duke sjellë risi për sa i përket formës së vargëzimit poetik. Migjeni nuk e përdor vargun tetërrokësh, që është karakteristik për traditën poetike shqiptare. Migjeni është i dallueshëm jo vetëm për stilin, por edhe për tematikën e re, motivet që sjell në krijimet e tij. Njeriu i Migjenit është individi që përballet me rrethanat e ashpra sociale të Shqipërisë së viteve ‘30. Migjeni nuk merr përsipër të thurë himne për të kaluarën e ndritur, nuk merr përsipër as të përshkruajë natyrën e mrekullueshme, nuk synon as t’u këndojë idileve të dashurisë.Krijimet e tij në poezi ose prozë karakterizohen nga një ton i dukshëm kritik në raport me rrethanat e jetës, problemet e përditshme me të cilat ballafaqohet individi, kolektivi. Ai i bën krijimet e tij reflektim të problemeve që ka individi me botën, por edhe me veten.Migjeni realizon në prozat e tij individualizimin përmes gjuhës. Personazhet e tij flasin me një gjuhë që shpreh thelbin e tyre si karaktere (lypës, malësor, punëtor, fëmijë, plak, grua, burrë). Kjo teknikë nxjerr në pah nivelin kulturor dhe karakterin e tyre. Kjo teknikë gjendet edhe në krijimet e Koliqit dhe të Kutelit. Vargjet e lira Migjeni është i dallueshëm nga shkrimtarët e tjerë edhe për nga strukturimi i librit të tij të parë e të vetëm me poezi, “Vargjet e lira”. Struktura përfundimtare e librit është: …Ndër këto rrethana i vuri Migjeni në shtyp Vargjet e tija. Vetë caktoi formatin e librës, vetë zgjodhi kartën, vetë i bëri korrekturat. Ai në Tiranë, libra në Tiranë – po edhe kësilloj, puna mbarohej. Ish i nxituar fort me nxjerrjen e kësaj libre, sepse ndjesija e tij e hollë, parashihte rè të zeza. Mbase mund të shihte edhe Torre Pelice-n e Italisë, ku duhej të shuhej në gushtin e vitit nëntë qint e tridhjetë e tetë… Po vjen midis nesh Poeti vetë mbi krahët e fjalës së tij.Mitrush Kuteli, “Revista letrare”, 1944126
                                
   122   123   124   125   126   127   128   129   130   131   132