Page 136 - Demo
P. 136
gjithçka, gjithçka disi e zvoglueme. Mezi Nushi gjet shkakun e këtij mashtrimi optik. Shkaku ishte te shtëpiat e mdhaja dhe sheshet e hapta të qytetit ku kishte qenë. ... – A t’u mbush mendja me ardhë, – i tha i ati kur e pa. Nushi u mallëngjye pak me të pamun t’anë dhe donte këtë dhe ta diftojë, por i ati vetëm i shtrini dorën, të cilën Nushi e shtrëngoi pa ditë me u përgjegjë në pyetje. Kur u rrok me motra, këto si me u mendue a ta puthin apo jo. Vetëm puthja e s’amës ishte e kjartë dhe oshtini nëpër shtëpi.Nushi nuk dinte ç’ka me thanë. Nuk dinte me folë me t’anë. Kur ishte fëmi, e kuptonte shumë ma mirë. Por kaloi ajo kohë, kur në imagjinatën e tij baba ishte diçka më tepër se babë, ishte një ideal, ideal i andrrimeve fëminore. E sot, e din Nushi, se baba i tij asht një prej qindra – në mos mija etnish të qytetit tonë, njeni prej atyne etënve që nga fmia i vet duhet me bamë një njeri anakronik, pikturën e vet, trashëgimtarin e dej të një të kalueme të gjymtë....E Nushi ndigjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndigjue babën i cili e lindi, e rriti, e bani aq. Pale mos dëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndigjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me ndëgjue - ndigjon. Ndëgjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilat kanë ndejun përreth dhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndëgjo. Ndëgjon edhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun brenda mureve të shtëpis dhe brenda një ambienti patriarkal, përgatitet për jetën qytetare të nesërme. “Mos të më korisin, – mendon kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjith pjestarët. Mos të më korisin, prandaj shtrëngo frenat, shtrëngo sa të mundesh, e nse nuk mund të marrin frymë – të pëlcasin. Sa vështirë asht me rritë fëmi në kohë të soçme! Sa vështirë është me ruejtë varzat! Eh kohët e kalueme! – Por a e dini ju, morë fëmi, se unë njaq sa ju ishe, kur fillova me fitue bukën... edhe qe, ka dashtë zoti, edhe ju me pas mjaft, sa me ju plasë planci...”Nushi ndigjon. Të gjithë ndigjojnë. Pale mos ndëgjo! Nushi ndëgjon dhe mendon. Ndoshta jeta e ka bamë kët njeri kaq të rreptë. * * * Nushi vendosi t'ia tregojë babës mospëlqimin e vet për martesën e Ages. Torturonte veten: jo tash po i tham, jo mbasandej, jo tash nuk asht koha. Derisa një mbramje i ati u tregue mjaft i butë dhe i dhanun për bisedë. Nushi ia tha disi mospëlqimin e vet për martesën e Ages.– Por për ke mendon ti me dhanë? More, ku e kanë at fat motrat e tueja tjera. Ai i shtëpisë së mirë po, i pasun po, djal puntor sa s'ka, se ka shoqin në Pazar.– Po, more babë, por sot varzat këqyrin djalin ma parë se të gjitha. – Po kush e pyet atë? Ç'ka din ajo?– Ajo nuk asht e kënaqun.– Eh, së parit njashtu i bahet, por mbasandaj ka për t'i hymë në qejf.“Qe e tanë puna që munda unë të baj për Agen, – mendonte Nushi, e në zemër ndiente si helmim ngase nuk mund t'i ndihmonte motrës. Bjerri besimin në vete. – Qe një rasë ku duhet me tregue fuqin e ndërgjegjes, të mendimit dhe të dashnis për me shpëtue diçka nga zakonet fatale. Por kush të len! Ajri me mija zura, ku të len të jetosh një jetë të shëndoshë. Më kot u betove në vetvete për kontributin e vet ne shoqni, për gjestet ideale! Qe një provë ku psove dështimin”. Nga të tilla mendime u grinte në dyshek Nushi deri n'agim, kur e zu gjumi.134

