Page 137 - Demo
P. 137
Agia nuk e pyete ma të vllanë për mrekullit e viseve të largëta. E interesonte burracaku i saj. E interesonte edhe tue mendue gjithnjë mbi të, ai dilte n'imagjinatë gjithnjë ma i keq. “Si një tatalosh”- i ka mrri Ages në vesh nga biseda e dy shoqeve. Një kundërshtim të parrfyeshëm ndien atë botë Agia.Dhe njaj kundërshtim shfrehej tashti në sjelljen e saj kundra vllazënve, motrave dhe s'amës kanjiherë. Si me pritë rasën, dhe ajo ishte gati me u kuq nga zemrimi, me i ra filxhani ose me thye diçka, si ndoj çini, gotë ose gjë tjetër që kishte në dorë. Kur e ama i bërtitte për gjanë e thyeme, ajo u përgjigjte ashpër me një: nuk desha as un ta thej; mandej shkonte, u mshehte në ndoj skutiliq dhe qante.* * * E në shtëpi t’Ages sundon harmonia e plotë. Kushdo që thotë se aty ka shamat’, grindje ose diçka tjetër – dajak si thonë – rren, kushdo që ta thotë rren. Aty mbretnon harmonia e plotë. Qe për shembull: burri vjen nga pazari, prej pune, në mbramje, e Agia ban çmos që ai ta gjejë shtëpinë sa ma komode, për t’u shplodhë nga puna e ditës; mandej e pyesin shoqi-shoqin si e kaluen ditën, a u mërzitën, çka ka të re. Agia të gjitha këto komplimente familjare i bante disi ftoftë, por sinqerisht. E burri, në përkëdheljet e ndjenjave, shkonte edhe ma larg; ju avitte Ages, kapte për faqe me dy gishta, me erë të dhjamit dhe ashtu si kapen fëmitë e vegjël, ia ledhatonte flokët, ose qafën, e shikonte me sy admirues rreth mesit dhe, i kënaqun me lumnin familjare, ndezte cigaren, çonte gotën e rakis dhe ia niste bisedës së përditshme. Agia u sillte poshtë e nalt nëpër dhomën e zjarrmit tua bamë punë, ndëgjonte fjalët e burrit dhe u përgjigjte aty ku duhej.– A t’i prue Luli të gjitha që ke pasë nevojë? – pyet burri tue çue gotën e rakis.– Po, – i përgjegjet Agia shkurt, – por ke harrue me i dhanë byberin, – vazhdon tue u kuqë lehtë në ftyrë dhe sjell kryet n’anë tjetër.– A të ka prue këtë e këtë e atë… – e kur i thotë Agia se po, ai vazhdon: “Jo, Luli s’ka hile, askund deri tash nuk munda ta za për kaq,” – dhe dëfton me gisht. Dhe në banak të dyqanit, ma shum i besoj atij se vetvetes, se asht dhe i shkathtë, dreqi. Sa vetë mundohen me e largue prej meje, për ta marrë për vete, tue qitë gjithfarë fjalësh… Ages ndër këto fjalë iu kuqën tamthat, zemra i trokiti shpejt dhe si me t’egër i tha:– Po ti pse e dërgon Lulin ditën? Ato sende që duhen mundesh me i prue ti vetë në mbramje…– Po për drekë mishin, ku me e marrë?... Mandej pse mos ardhë, xhanëm, Luli? Bota me të vërtetë flet, por un e dij pse flet… Edhe Agia mendon me vete pse mos me ardhë në shtëpi ditën, ku asht ajo vetëm… Atëherë bash duhet të vijë, i thotë një ndjesijë, diku thellë e mfshehun, nga e cila Ages, zojës së ndershme të filanit e të filanit, i vjen ndoht. Por ndjesija e mfshehun ia pushton trupin e ri dhe ajo i thotë burrit:– Mos harro me ma çue nesër byberin edhe … – mendohet të gjejë dhe diçka tjetër.– Po, tash ta çoj edhe mish të mirë, më tha kasapi se do të prejnë nesër. Të tjerat i ke?– Po. * * * 135

