Page 151 - Demo
P. 151
cënonte rëndë dhe deformonte spontanitetin dhe frymën e origjinalitetit krijues. Kjo platformë ideologjike do të asgjësonte në fund të fundit lirinë krijuese, që është fryma e artit, aq e domosdoshme për çdo krijues – që ai të endet përmes veprës së tij, në pafundësinë e vizioneve filozofike dhe të modeleve stilistike shprehëse.Sigurisht që ato vepra, të cilat u krijuan besnikërisht brenda këtij formati estetik, nuk do të mund të ngriheshin dot në nivelin e vlerave të vërteta. Pra, ato nuk do ta mbërrinin dot lexuesin e pritshëm dhe aktualisht, ato mbeten të referuara kryesisht si krijime aksidentale e pa ndonjë vlerë të qëndrueshme. Pjesa më e madhe e poezisë së viteve ‘40-‘50, është një poezi e krijuar në bazë të një poetike me normë të ngurtë, duke përfunduar në uniformizëm monoton si në anë të formës artistike dhe në tematikë. Këto lloj poezish shfaqin retorizëm të theksuar, entuzizëm të papërmbajtur festiv dhe një tematikë të kufizuar. Në to flitet për temën e luftës, krijohet idili i jetës në shoqërinë komuniste, kulti për udhëheqësin etj. Krahas një letërsie të politizuar, të zhveshur nga vlerat artistike, në këtë periudhë nuk do të mungojnë autorët e talentuar, të cilët arrinin të gjenin mënyra të rafinuara për t’iu shmangur parimeve ideologjike të realizmit socialist. Këto do të ishin nga ato vepra, në të cilat, autorët do të arrinin të gjenin rrugët për t’u endur e depërtuar lirshëm e mjeshtërisht në botën komplekse të njeriut, duke e zbuluar atë në tërë spektrin shpirtëror të tij.Jashtë kornizave ngushtuese, në këtë periudhë do të kemi një tërësi veprash letrare në të cilat ndihej i pranishëm kompleksiteti i botës: lufta dhe paqja, dashuria dhe urrejtja, gëzimi dhe dhimbja e trishtimi, endrra dhe fataliteti ekzistencial. Kjo frymë e orientuar prej motivesh mirëfilli letrare, ku do të ndihej funksionimi i brendshëm i lirisë krijuese, do të vërehej në jo pak vepra, si p.sh., ato të Ismail Kadaresë, Petro Markos, Jakov Xoxës, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Vath Koreshit, Zija Çelës, Bardhyl Londos, Koço Kostës, Moikom Zeqos, Ilirian Zhupës, Skënder Buçpapës, Mimoza Ahmetit etj. Sigurisht, që nëpër veprat e tyre, sipas rastit, do të vëreheshin edhe disa elemente kompromisesh me parimet skematike të kohës. Por në veprat më të arrira, vërehet se këto dukuri nuk janë dominante, por anësore apo episodike, dhe shfaqen si kompromise të llogaritura, me qëllimin për t’i shpëtuar prej censurës zyrtare vlerat e natyrshme artistike që mbartnin ato vepra. Dyzimi ka qenë një karakteristikë e mjaft shkrimtarëve të periudhës ‘44-‘90. Të detyruar nga censura zyrtare, me dëshirën për t’u botuar, një sërë shkrimtarësh në krijmtarinë e tyre përfshijnë vepra të politizuara, por edhe vepra, të cilat, falë talentit të tyre i shpëtojnë skemës dhe bëhen pjesë e traditës më të mirë të letërsisë shqipe. Pas ndryshimeve politike të viteve ‘90, letërsia shqipe do të karakterizohet nga një shumësi rrymash e drejtimesh artistike, të cilat çuan në një konfiguracion të larmishëm artistik. Konvencionet e më shumë se 50 viteve kishin rezultuar të pasukseshme, madje ishin kthyer në një pengesë serioze për lirinë artistike. Faik Konica Xhevahir Spahiu, portret nga Aleksandër Vreko149

