Page 159 - Demo
P. 159
Krijimtaria letrare e Agollit në poezi, prozë dhe dramëNë poezi Dritëro Agolli është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të “brezit të viteve ‘60”. Vëllimi i parë poetik “Në rrugë dola” i takon vitit 1958. Gjer në fillim të viteve ’90 kishte botuar rreth pesë vëllime të tjera poetike: “Hapat e mia në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Mesditë” (1969), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985). Poezia e ka shoqëruar poetin që në fillim të rrugëtimit të tij dhe gjatë gjithë procesit të tij krijues. Poezia e tij reflekton shpesh tematikën e kohëve në të cilat jeton poeti, dinamikën, ndryshimet dhe përmbysjet. Agolli është poeti i tokës dhe i dashurisë së madhe për të, poeti i ndjenjave universale dhe i mendimeve të thella, poet i natyrës së mrekullueshme shqiptare, por është edhe poet i dhimbjes, i dramave jetësore. Toka është një simbol që përshkon gjithë krijimtarinë poetike të Agollit. Me tokën, Agolli lidh edhe botën shtazore dhe bimore, duke i integruar në krijimet e tij poetike. Toka, e shfaqur edhe si fusha, është e lidhur me figurën e kalit, lopës, kaut, qenit, fluturës, zogut. Toka dhe fusha janë të lidhura me bimësinë: grurin, jonxhën, limonin, mendrën. Lidhja me tokën shfaqet edhe në poezinë që krijohet për ndjesinë që të përcjell era e grurit, era e luleve, era e djersës së atij që punon tokën, era e jargavanit (“Malli”), era e mollëve (“Mollët”) etj. Poezia e Agollit përmban të gjitha ngjyrat që zbukurojnë tokën. Peizazhet shfaqen shpesh në poezinë e tij dhe janë origjinale. Ato janë konkrete, të prekshme, por dhe të poetizuara nëpërmjet figurave të poetit. Kjo lidhje e tij me tokën karakterizohet edhe nga leksiku që shpesh ka të bëjë me bujqësinë dhe blegtorinë (“Devoll Devoll”). Toka del shpesh në poezinë e Agollit edhe në formën e gurit. Guri si simbol i shtëpisë, i qëndrueshmërisë, i forcës së karakterit, i historisë, i së shkuarës. Toka me të gjitha elementet e saj, si gur i fortë dhe i qëndrueshëm, edhe si udhë simbol i lëvizjes, por edhe si aromë, si dritë, si ngjyrë në formën fluide, është atdheu, vendi i tij, me historinë, me traditën si kujtesë. Agolli është quajtur poet i tokës edhe duke e lidhur këtë me faktin se është i ndikuar shumë nga letërsia popullore e vendit të tij. Një element i rëndësishëm në poezinë e Agollit është edhe udha dhe udhëtimi, që simbolizojnë dinamikën e ndryshimit, lëvizjes. Koha ecën, njeriu rritet, mendimet dhe ndjenjat ndryshojnë, bota transformohet. Ai e fillon krijimtarinë e tij me përmbledhjen “Në rrugë dola” (1958), e vazhdon me vonë me përmbledhjen “Udhëtoj i menduar” (1985). Kur flet për udhën, me të emërton edhe udhëtimin poetik, lëvizjen e fjalës, përsiatjen. Udhëtimi poetik nëpërmjet fjalës nxjerr në pah shpirtin e kombit, ndjesitë qofshin në formën e dashurisë, por edhe të urrejtjes. Poezia e Agollit karakterizohet nga një un i dallueshëm lirik, i veçantë dhe i fuqishëm. Heroi lirik i krijimeve të Agollit është individi me pasione të forta, që dashuron dhe urren, që mbron të renë kundër të vjetrës, që ngrihet kundër padrejtësive. Lirika e Agollit e periudhës para ’90, karakterizohet nga dashuria e madhe për jetën dhe gëzimi i saj. Kjo është edhe arsyeja që poezia e tij është etiketuar edhe si poezi diellore. Temat kryesore të poezisë së kësaj periudhe janë: krijimi, bukuria, dashuria, rinia, njeriu dhe natyra që ngazëllen. Dritëro Agolli është shkrimtar aq i çmuar prej studiuesve të letërsisë dhe aq shumë i lexuar e i dashur prej lexuesve sepse ai është shkrimtar që në veprat e tij ka paraqitur anë të ndryshme të jetës shqiptare, që ka kënduar e trajtuar gëzimet dhe vuajtjet, të mirat dhe të këqijat, fitoret dhe disfatat, lirinë dhe dhunën në jetën kombëtare. Krijimtaria e tij letrare është një si jetëshkrim shpirtëror i popullit shqiptar. Dritëro Agolli është shkrimtar që në të zakonshmen jetësore e sheh dhe e trajton të pazakonshmen, që në të përditshmen e sheh dhe e trajton edhe të përhershmen, që në të voglën e sheh dhe e trajton edhe të madhen, që në të mirën e sheh dhe e trajton edhe të keqen. Jo shumë shkrimtarë e kanë një dhunti të këtillë. Rexhep Qosja157

