Page 161 - Demo
P. 161


                                    tipike: partizanë që vriten se dashurojnë, partizanë që pushkatohen se ngjajnë me një ballist, komandantë që pinë raki, partizanë që martohen me bija ballistësh, partizanë të plagosur që harrojnë luftën dhe dalldisen nga dashuria etj. Figurat e krijuara nga Agolli në prozën e shkurtër janë figura që nuk i gjejmë në letërsinë e kohës. Tregimet e tij reflektojnë një lloj humanizmi të thjeshtë e të pastër, shfaqin një lloj heroizmi tradicional larg atij të fryrë e artificial të kohës, por edhe dhimbje për situatat absurde dhe rastësitë e krijuara për heronjtë e tij. Në tregimin “Martesa e papritur e Pasho Velçanit”, Velçani, ish-partizan, martohet me një grua nga familje e papërshtatshme si nga origjina, edhe nga ana politike. Ajo ishte rome nga nëna dhe bija e një ish-ballisti nga babai. Një martesë e tillë ishte e papranueshme, por Agolli e trajton këtë veprim me humanizëm dhe sentimentalizëm. Një trajtim i veçantë dhe krejt i ndryshëm i luftës bëhet nga Agolli në tregimin “Ndëshkimi”, ku Sefer Nezha bëhet viktimë e një keqkuptimi fatkeq. Ai pushkatohet, sepse ngjan me një spiun. Në tregim përshkruhen momente tragjike të pushkatimit të tij prej shokëve, të cilët kalojnë një situatë po aq tragjike sa ai. Vrasja e shpejtë e një të pafajshmi, zbulimi i gabimit të bërë shkakton vetëvrasjen e ekzekutuesit. Ky tregim është sintezë e një forme të veçantë revolte ndaj dhunës që shkakton lufta ndryshe nga mënyra si trajtohej ajo në veprat e realizmit socialist, si kulmi i lavdisë, trimërisë dhe idealizmit. Romani “Komisari Memo” (1970) është vepra e propaganduar, jo gabimisht, si model i romanit të realizmit socialist. Dritëro Agolli në këtë roman letrarizon kohën e komisarëve, që ishte pjesë e kultit të padiskutueshëm të luftës antifashiste, e cila sundoi deri në vitet ’90 në letërsinë shqipe. Personazhi më i natyrshëm i romanit është komandanti Rrapo, i cili bën pjesë brenda llojit të “njerëzve të krisur”, që dalin jashtë skemës.Një sukses të madh për kohën do të kishte edhe romani “Njeriu me top” (1975), në të cilin lufta partizane trajtohet nga një këndvështrim krejt i ri. Mato Gruda është një personazh i një përmase krejt të ndryshme, nga personazhet e luftës çlirimtare të trajtuara në përputhje me dogmën e realizmit socialist. Shumë interesante në këtë roman është mënyra se si përshkruhen dhe individualizohen personazhet, nga ana e përshkrimit fizik, mendësive, botëkuptimit, të folurit. Agolli arrin të zbërthejë karakterin e shqiptarit tradicional të lidhur me armën si një element karakterizues i ekzistencës së tij. Në qendër të romanit qëndron konflikti universal i kontradiktave mes brezave. Një roman i rëndësishëm i Agollit është “Arka e djallit”, të cilin ai filloi ta shkruante në fillim të viteve ’80, madje dy kapitujt e parë i botoi në revistën “Hosteni”, por e botoi në vitin 1997. Agolli e quan “roman të vështirë”, sepse iu desh një kohë e gjatë për ta shkruar. Një kohë në të cilën ndodhën shumë ndryshime, që në radhë të parë kishin të bënin me lirinë e të shprehurit dhe të shkruarit. Në qendër të romanit është kërkimi i një dorëshkrimi të humbur, kërkimi i një gjëje të ndaluar. Dorëshkrimi i përket Bamkë Dynjasë dhe është i titulluar “Shakaja e ndaluar ose Njeriu që e frenojnë kur qesh”, titull që të kujton romanin e njohur “Shakaja”, të shkrimtarit disident Milan Kundera. Ngjarjet zhvillohen në vitet ’70 në një fshat në jug të Shqipërisë. “Arka e djallit” është një vepër humoristiko-satirike, në të cilin humori, ironia, grotesku dhe parodia janë elemente kryesore të stilit. Tragjizmin e një jete ku të tërë mbikëqyrin njëri-tjetrin dhe ku mirëqenia ekonomike, por edhe dinjiteti njerëzor kishin rënë shumë poshtë. Situata të tilla, Agolli zgjedh t’i përshkruajë nëpërmjet humorit dhe batutave. Pjesë e krijimtarisë së Agollit janë edhe romanet: “Dështaku” (1991), “Kalorësi lakuriq” (1996), përmbledhja me tregime e novela “Kohë e krisur” (1995) etj.159
                                
   155   156   157   158   159   160   161   162   163   164   165