Page 163 - Demo
P. 163
Romani më i njohur dhe më i vlerësuar i Dritëro Agollit konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973). Ky roman në fillim u botua pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”. Prozë e shkëlqyer nga ana kompozicionale, stilistike dhe gjuhësore, në të cilën tragjikja dhe komikja ndërthuren me njëra-tjetrën. Në qendër të romanit është Zylo Kamberi, një zyrtar i lartë i administratës gjatë regjimit komunist. Ai drejton një sektor të rëndësishëm të kulturës që në kohën për të cilën flitet identifikohet me propagandën ideologjike të masave. Në roman pasqyrohet karriera e palavdishme e një zyrtari burokrat ku shkrihen në një qëllimi i mirë, dëshira për të bërë gjëra të mëdha me dramën që vjen nga paaftësia për të kuptuar nivelin e zotësisë së vetes, me shkëputjen nga realiteti. Figura e Zylos nuk mund të kuptohet pa figurën e Demkës që është personazh po aq i rëndësishëm sa ai, ndaj duken si rrjedhojë e njëri-tjetrit. Zylo është një zyrtar mediokër që i ka vendosur vetes misione të larta për përparimin e shoqërisë. Ndërkohë që e gjithë karriera e tij është ngritur vetëm në fjalë dhe në gënjeshtra, madje edhe ngritja e tij në detyrë u arrit falë një fjalimi të suksesshëm të shkruar nga Demka. Zylo vlerëson rëndësinë e detyrës së tij për përhapjen e kulturës dhe progresin e shoqërisë, prandaj artikulon mendime të cilat nuk janë krejt të pavlera, madje ai i vë vetes misione të tilla si lufta ndaj prapambetjes dhe përtacisë, por ai nuk e di se është bërë vetë simbol i tyre. Ai është shkëputur nga realiteti dhe ka krijuar një botë të vetën, në të cilën sillet dhe flet sipas modeleve që i ka krijuar vetë. Ai i vesh vetes merita të mëdha, të pamerituara të cilat është i sigurt se i ka, ndonëse nuk i reflekton aspak në punën që bën. Ai përpiqet të krijojë në sytë e të tjerëve modelin e “nëpunësit në ngjitje”, ndaj transformohet dhe humbet gjithçka të mirë që ka në vetvete. Ai përpiqet shumë të krijojë në sytë e të tjerëve imazhin e nëpunësit model, plot me iniciativa, shumë korrekt, por në të vërtetë është vetëm një njeri që s’bën asgjë. Kjo vepër ndahet në kapituj, secili prej tyre ka një titull të ndërtuar me nëntekst ironik, që e paralajmëron lexuesin për përmbajtjen e kapitullit. Romani përmban ngritjen dhe rënien e Zylos, ndonëse ai kurrë nuk e pranon humbjen. Titulli i veprës të paralajmëron për atë që do të rrëfejë. Pranëvënia e të kundërtave vihet re që në titull dhe do të shtrihet në të gjithë veprën. Vepra është një prozë satirike, ku kapitujt u ngjajnë skenave të një komedie e cila zhvillohet para lexuesve, ndërsa autori rri pas dhe luan fijet e veprimit me marionetat e tij. ANALIZË E VEPRËS“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” 161

