Page 171 - Demo
P. 171
e tregime. Nuk dua! U lodha! M’i thithën energjitë raportet! Jam kthyer në automat! Fund!” - U lodhe? - më thotë gruaja. Fshij me dorë ballin. Nuk di pse më ka djersitur.- U lodha, - i them. Ndërkohë bie zilja e telefonit. Kjo zile më ther në zemër. Matem të mos e ngre receptorin, por mekanikisht i afrohem telefonit.- Kush?… A, shoku Selman… Ç’kemi?… Kur?… Por jam i zënë, shoku Selman. Duhet ta mbaroj pasnesër… A, për dhjetë ditë? Çfarë teme?… “Vatra e kulturës dhe prodhimi”? Sa faqe?… Pesëmbëdhjetë? A, do ta mbani në seminar?… Mirë. Do të bëj çmos. Natën e mirë!… Gruaja më vështron e përvojtur. - Raport? - pyet ajo. - Kumtesë, - them. - Shefi i arsimit dhe i kulturës e kërkon?- Po, shoku Selman.- A, Demkë. Pse i premtove? Të gjithëve u premton. Do të sëmuresh… - thotë duke punuar me shtiza. Dhe në çast mallkoj veten. “Pse i premtova? Unë nuk kam mbaruar raportin për drejtorinë N të ministrisë. Përsëri u ngarkova me një barrë tjetër. Ja, Adem Adashi nuk merr përsipër gjëra të tilla. Shkruan. Unë nuk kam qenë më pak i talentuar se Adem Adashi. Por shterova”. Prapë më pushton një dhimbje e thellë. Më vjen keq për veten time… * * * E mbarova raportin dhe e dhashë në drejtorinë N të ministrisë sonë, nga e cila isha ngarkuar. Drejtoria N merrej me sektorin e kulturës masive. Në zyrë, përveç shokut Shemshedin, që drejtonte këtë sektor, ishte edhe shoku Zylo, që drejtonte sektorin e artit dhe të letërsisë. Shoku Shemshedin e mori raportin dhe ia shpuri shokut Q., i cili i kishte nën kujdestari të dyja këto drejtori të afërta me njëra-tjetrën. Te shoku Q. shkuan të dy drejtorët dhe unë tok me ta. Rrija në zyrë dhe dëgjoja tek flitej për raportin. Ai do të mbahej në një mbledhje të madhe, në të cilën do të kishte shumë personalitete të shquara.Shoku Q. për një çast na la vetëm në zyrë dhe doli, duke marrë me vete raportin. - Raportin do ta mbaj unë, - tha shoku Shemshedin. Tjetri e dëgjonte me njëfarë ironie në buzët e holla. - Mund ta mbaj dhe unë, - tha i dyti, shoku Zylo. “Të dy paskan besim se raporti ka dalë i mirë,- mendova unë.- Sikur të mos kishin besim, nuk do të pranonin ta mbanin as njëri, as tjetri.” - Pse ta mbash ti? - u hodh shoku Shemshedin. - Demkës ia dhashë unë tezat. Për ato teza punova dhjetë ditë me radhë. Këtë e di dhe shoku Q. Unë u vrenjta në fytyrë. Shoku Shemshedin nuk më kishte dhënë asnjë tezë. Ai vetëm kishte biseduar me mua rreth përmbajtjes së raportit. Por edhe kjo bisedë ishte tepër e përgjithshme dhe në të nuk kishte asnjë tezë ose formë teze. - Raportin do ta mbaj unë. Për këtë bisedova edhe me shokun Q. Shoku Q. ishte dakord, - tha shoku Zylo shkurt dhe kategorikisht. Shoku Shemshedin u ngrit nga tavolina.169

