Page 172 - Demo
P. 172
- Çuditem Zylo, ta bëj unë raportin dhe ta mbash ti? Kërkon të shkëlqesh në mbledhje. Nuk të shkojnë, - tha shoku Shemshedin. - Raportin nuk e bëre vetëm ti, por ndihmuan të gjithë. Unë ndihmova, ky ndihmoi… - dhe shoku Zylo tregoi me dorë nga unë. “E çuditshme! Unë paskam ndihmuar! A nuk e shkrojta nga e para me këto duar?” - mendova. - Raporti është imi, - thirri shoku Shemshedin me zë të lartë. Ndërkohë hyri shoku Q. Ai mbante në dorë raportin. - Ç’kini që zihi? - tha ai. Shoku Shemshedin e vështroi Zylon, por nuk foli. Shoku Q. ia zgjati raportin shokut Zylo. - Na, lexoje. Shto ndonjë gjë që të duket e arsyeshme dhe përgatitu të flasësh. Mbledhja do të ketë shumë rëndësi. Shoku Zylo mori raportin dhe u ul në karrige duke i hedhur një shikim triumfues shokut Shemshedin. - Shoku Q… - tha shoku Shemshedin. - Fol, - tha shoku Q. - Raportin sikur do ta mbaja unë, - tha ai. Shoku Q. e vështroi dhe buzëqeshi. - Raportin do ta mbajë Zylua. Ai e ka zërin më të mirë se tëndin. Lexon më bukur dhe qetë. Ti impresionohesh, - tha shoku Q. - Po unë u lodha me… - tha shoku Shemshedin. - Për punën të falënderojmë. Edhe ti, edhe Demka ndihmuat që raporti të përpilohej mirë dhe saktë. Ato që ju thashë unë i kini vënë të gjitha… Fundja, për një raport punojnë disa shokë, por njëri e mban, - tha shoku Q. Pastaj shoku Q. më zuri për krahu dhe dolëm nga zyra. Në korridor ai qëndroi dhe më tha ngadalë: - Ministri më porositi të diskutoj. Një diskutim i shkurtër, rreth tetë-nëntë faqe do të jetë. Por kam shumë punë. Ja tani do të shkoj në një mbledhje. Të lutem shumë, ulu një mbasdite dhe shkruama. Tema do të jetë mbi përgatitjen e kuadrit regjisorial. Me një fjalë ç’bëjmë ne për përgatitjen e teatrove. Mbledhja është serioze. Mundohu, Demkë, mundohu,- më ra krahëve shoku Q. - Kur e keni mbledhjen? - pyeta unë. - Nesër. - Mirë. Ai shkoi në zyrën e tij, unë mbeta vetëm në korridor. E ndieja veten të lodhur. Përsëri sonte do të shkruaja në kuzhinë dhe gruaja, duke bërë triko, do të më vështronte me keqardhje. Ajo do të më përmendte artikujt e bukur të Adem Adashit. Tek mendoja, ndjeva hapa dhe një kollë të thatë. Ktheva kokën dhe pashë Aranitin, një nga njerëzit që punonte në sektorin e shokut Shemshedin. Unë e njihja, por nuk kisha ndonjë miqësi. Për të flisnin se ishte një njeri i rëndë dhe përbuzës. Ai nuk e shihte dot me sy shokun Zylo, megjithëse nuk punonte me të. Por meqë sektori që drejtonte shoku Zylo ishte i afërt me atë që drejtonte shoku Shemshedin, Araniti ishte në korrent me të gjitha çështjet e të dy sektorëve. - E qëndise raportin? - më pyeti me përçmim. - Më mirë të shohim secili punën tonë, - thashë unë. - Qëndise, qëndise, - tha ai zymtë dhe u largua me hapa të rëndë nëpër korridor.170

