Page 211 - Demo
P. 211


                                    vendlindjes, me konceptime poetike moderne. Në këtë lloj “hibridizimi” artistik, poetin e ka çuar talenti dhe kultura e tij e pasur. Ai e njihte mirë mitologjinë dhe folklorin shqiptar, ashtu siç ishte në kontakt me kulturat e vjetra dhe të reja evropiane. Në poezi, M. Camajn e tërhiqte thelbi i dukurive, pra, shfaqja e tyre e gjithëkohëshme, universale. Kjo shtysë e thellë dhe e paramenduar, ka ndikuar te mbivendosja në poezinë e tij të detajeve, figurave, imazheve, të epokave të ndryshme. Ndeshen njëherazi, afrimet dhe këmbimet poetike të pamjeve të sotme urbane me ato të hershme, patriarkale, e deri mitologjike.Ky model procedimi poetik krijon një shtresëzim të paramenduar (koduar) në strukturat e teksteve, duke i bërë ato, rrjedhimisht, disi të vështira e të ndërlikuara në lexim (receptim). Por njohja dhe ambientimi gradual me këtë lloj kodi specifik poetik, e bën të mundur e të mirëpritur leximin e këtyre teksteve.Në koherencë me këtë kod, është i pranishëm i ashtuquajturi “arkaizëm estetik”, d.m.th. vjetrimi i kohës. Pra, shtimi i distancës së poetit me ngjarjen e rrëfyer, duke e transferuar atë në një kohë pothuaj “mitike”, pa skaj. Ashtu siç ndodh në legjenda e përralla, kur koha e ngjarjes së rrëfyer është tepër e largët, që e krijojnë dhe formulat e njohura narrative “na ishte njëherë...” dhe ku pozita e narratorit anonim shfaqet pothuaj neutrale. Ai vetëm rrëfen dhe u mbetet dëgjuesve përreth që të bëhen pjesëmarrës në interpretim. Kjo ka lidhje me parimin etik të Camajt. Ai nuk preferon artin e angazhimeve të drejtpërdrejta. Pra synon, të dëshmojë një lloj mospërzierjeje e mosimplikimi të unit poetik me atë çka rrëfen. Kjo do të thotë se prania e poetit mbetet e distancuar, gati e papërfillshme, ashtu si tek anonimati popullor. Por në këtë rast bëhen më refleksive e më aktive marrëdhëniet e lexuesit me poezinë. Pra, prania pasive e krijuesit, zëvendësohet me praninë aktive të lexuesit. Kjo është një zhvendosje estetike për ta bërë poezinë, edhe në këtë aspekt, të pambyllur.Në funksion të këtij “arkaizmi estetik”, janë dhe etnografizmi gjuhësor, mjedisor dhe konceptual. Të gjitha së toku, ato krijojnë përjetimin e rrjedhës së gjatë e të pafundme në kohë. Pra, krijojnë frymën dhe atmosferën universale në poezi. Le të sjellim ndërmend poezinë “Një zog lëngon”. Fillimi i saj: “Libri i besimit të shpendëve thotë: çdo zog shtrin krahët e vdes mbi bar...” dhe pastaj mbyllja: “larg dy gurë mullinjsh që bien/ simbas ligjit njeni mbi tjetrin/ pa za...”, përcjellin vizionin e hapësirës kohore pa skaj. Dhe brenda saj, ndihet të pluskojë një dramë me theks aktual: vdekja e zogut erdhi jo për arsye tjetër, por: pse preku kufijtë e ndaluem mes qiellit dhe dheut. Ndihet qartë këtu alegoria e atyre ndëshkimeve që vijnë prej diktaturave, prej pushteteve që kufizojnë e dhunojnë lirinë e njeriut. Po kështu, në imazhet e përcjella prej poetit, kurmet e hijshme të vajzave moderne në një ditë të bukur plazhi, këmbehen e transformohen si fare normalisht aty për aty, në vizatime të hershme të kohëve paleolitike. Kjo është në harmoni me vizionin për t’i universalizuar maksimalisht mesazhet poetike. (“Bukë-vala e re”). Një fshat, një malësor, një ceremoni gëzimi a mortore, një kafshë pylli etj., të gjitha këto jepen në një pamje aktualo-mitologjike, saqë është pothuaj e pamundur të ndiesh përcaktueshmërinë e saktë të asaj apo të kësaj kohe historike. Por kjo nuk krijon kurrfarë kundërsensi në poezi. Përkundarzi, lexuesi e pranon këtë “kalendar” të paqëndrueshëm historik, sepse është një kalendar tjetër esencial: ai i fatit të njeriut dhe i natyrës, që shfaqet dhe rishfaqet në një spirale të pafundme.209
                                
   205   206   207   208   209   210   211   212   213   214   215