Page 236 - Demo
P. 236


                                    Lexim plotësuesZhan Pol Sartri (1905-1980), filozof, teoricien i ekzistencializmit, romancier, novelist, dramaturg francez, i cili në vitin 1964 refuzoi çmimin Nobel për letërsinë. Romani Neveria, lidhet ngushtë me mendimin e tij filozofik të fazës së parë: neveria është zbulimi i hiçit dhe i arbitraritetit të ekzistencës së njeriut, ankthi për ta tejkaluar këtë gjendje dhe kërkimi i motiveve të ekzistencës. Pas përvojës së Rezistencës Antifashiste Franceze, në fazën e dytë, ai shprehej se njeriu është ai që dëshiron vetë ai të jetë; njeriun e përcaktojnë veprimet, zgjedhjet, angazhimet e përditshme, marrja e përgjegjësive; njeriu është i dënuar të jetë i lirë, por duhet të përballet me zgjedhje të vazhdueshme, të mundimshme dhe të refuzojë formulat e gatshme dhe tradicionale. Filozofia e tij shndërrohet në ekzistencializëm humanist, d.m.th. në rritje të vlerës së njeriut, të cilit i jepet çdo fuqi për të vetëvendosur dhe për t’u çliruar duke refuzuar si filantropizmin, ashtu edhe mëshirën kristiane. Roli i ri i intelektualit në përgjithësi dhe i artisti në veçanti është të solidarizohet me të shtypurit për mbrojtjen e lirisë dhe të dinjitetit të njeriut. Vepra e Sartrit ndikoi kulturën dhe shoqërinë evropiane. Angazhimi, marrja e përgjegjësive për zgjedhjet e bëra, e bënë Sartrin lajmëtar të një arti të angazhuar që i jep shkrimtarit një rol të ri sepse, sipas tij, pikërisht tek angazhimi realizohet çdo liri, përfshirë këtu edhe atë të shkrimtarit. Ernest Heminguej (1899-1961), shkrimtar, gazetar amerikan që në vitin 1954 mori çmimin Nobel për letërsinë, i njohur për shpirtin e tij të aventurës dhe të rrezikut, për pjesëmarrjen në Luftën e Parë Botërore, në luftën e Spanjës etj., si dhe për romanet e tij të mëdha: Lamtumirë Armë (zhgënjimi i protagonistit ushtar për vdekjen e së dashurës bëhet paradigmë e njeriut që në këtë jetë është i dënuar të jetë humbës, por që duhet ta përballojë fatin me dinjitet, sepse asnjë nuk mund t’i shmanget fatit të tij); Për kë bie kambana (epope e solidaritetit njerëzor, e frymëzuar nga Lufta e Spanjës); Plaku dhe deti (historia e peshkatarit plak që zë një peshk shpatë gjigant dhe që, i pafuqishëm, ndjek skenën e sulmit të peshkaqenëve që e kthejnë peshkun në skelet të stërmadh) përcjell mesazhin se dinjiteti i njeriut qëndron në luftën e tij kundër vdekjes, edhe pse e di që në fillim që ajo është një betejë e humbur. Ndjenja dhe tema e errët e vdekjes, e hiçit, e dështimit të paracaktuar e të pashmangshëm dhe e kufizimeve të njeriut përshkon të gjitha romanet e Heminguejit. Ai mendon se njeriu e gjen paqen në gjirin e natyrës, duke praktikuar sporte të ndryshme (gjuetia, peshkimi, lufta me dema) me shpirt luftarak. Vepra të tjera të tij: Dhe dielli lind përsëri (i frymëzuar nga udhëtimi me një grup miqsh të brezit të humbur); Festa e lëvizshme (kujtime nga takimet me miqtë e tij E. Paund, Xh. Xhojs, G. Shtajn); Të kesh e të mos kesh (polemikë e fortë sociale) etj. Teodor H. A. Drajzer (1871-1945), romancier, dramaturg, skenarist, gazetar amerikan, eksponent i realizmit dhe themelues i romanit modern amerikan. Me Drajzerin, natyralizmi shtrihet edhe në periudhën e poetikave të tjera. Drajzeri, i ndikuar shumë nga Balzaku e konceptonte realitetin si përplasje forcash, si konflikt interesash dhe pushteti. Ai i bëri një prezantim dhe një gjykim të hidhur shoqërisë amerikane (gjë që e bënë mbas tij Dos Pasos dhe Folkneri, me një stil më të përpunuar dhe me tematika më tronditëse dhe më turbulluese). Drajzeri ka shkruar faqe që denoncojnë dhe provojnë në mënyrë të spikatur dhe të vrazhdë mekanizmat shkatërrues të shoqërisë amerikane. Vepra të tij janë: Motra Keri (historia e suksesit dhe e pasurimit të një gruaje), Gjeniu (historia e artistit), Një tragjedi amerikane (ekzekutimi i një të riu për një krim që e ka menduar, por nuk e ka kryer). 234
                                
   230   231   232   233   234   235   236   237   238   239   240