Page 65 - Demo
P. 65


                                    Në mëngjes1 Maria kishte ikur. Më kishte thënë që më parë se duhej të shkonte te tezja. U kujtova që ishte e diel dhe kjo më mërziti: e diela nuk më pëlqen. Atëherë u ktheva në shtrat nga ana tjetër, kërkova nëpër jastëk aromën e kripur2 që kishin lënë flokët e Maries dhe fjeta deri në orën dhjetë. Pastaj piva cigare, gjithnjë shtrirë, deri në drekë. Nuk doja ta haja drekën te Çeleste3 si zakonisht sepse, me siguri, do të më bënin pyetje e kjo gjë s’më pëlqen. Skuqa vezë dhe i hëngra në tigan, pa bukë, se s’kisha dhe s’doja të zbrisja për të blerë. Pas drekës, s’kisha ç’të bëja dhe shëtita nëpër shtëpi. Ajo ishte e rehatshme kur ishte mamaja4. Tani është tepër e madhe për mua dhe m’u desh të çoja tavolinën e bukës në dhomën time të gjumit. Tani përdor vetëm këtë dhomë të pajisur me karriget e kashtës që kanë vënë pak bark, dollapin me pasqyrë të zverdhur, tualetin dhe shtratin prej bakri. Të tjerat i kam lënë pas dore. Pastaj, si për të bërë diçka, mora një gazetë të vjetër dhe e lexova. Preva një reklamë të kripërave Krushen dhe e ngjita në një fletore të vjetër ku vendos gjërat që më zbavitin nëpër gazeta. Pastaj lava dhe duart dhe për t’i vënë kapak dola në ballkon. Dhoma ime bie nga rruga kryesore e lagjes. Pasditja qe e bukur. Megjithatë kalldrëmi ishte i lerosur, tektuk njerëz që nxitojnë. Ndër të parët qenë familjet që dilnin shëtitje, dy djem të vegjël me kostum marinari, pantallona sipër gjurit, dukeshin si të mbërthyer FRAGMENTFilmi i së dielës Nëpunësi i ri nga Algjeri, Merso, merr një telegram në të cilin e njoftojnë për vdekjen e nënës, e cila ndodhej në një azil pleqsh në Marengo. Pasi lajmëron zyrën ku punon, niset për të shkuar në funeral. Udhëtimi është i mërzitshëm, nxehtësia mbytëse, formalitetet edhe më të mërzitshme dhe të pafundme. Nëna ndodhet në arkivol, në dhomën e morgut, drejtori do që ta hapë arkivolin në mënyrë që Mersoja të mund ta shohë nënën për herë të fundit, por i riu refuzon. Nata e përgjimit që nuk mbaron kurrë, funerali, dhe më në fund kthimi. Ditën në vijim është e shtunë dhe Mersoja e kupton se ka edhe dy ditë pushimi përpara. Shkon të bëjë plazh në port, takon Marie Kardonën, një ish-daktilografiste që kishte punuar në zyrën e tij dhe që i kishte pëlqyer; e kalojnë ditën bashkë, në mbrëmje shkojnë në kinema dhe më pas në shtëpinë e Mersosë. Maria ikën herët, mëngjesin e së dielës, dhe Mersoja kalon orë të tëra duke pirë duhan dhe duke soditur ato që ka përreth. E kalon thuajse të gjithë ditën në ballkon duke vëzhguar njerëzit në rrugë, sikur të ndodhej përpara një ekrani ku projektohen jetët e të tjerëve bashkë me të tijën.1 Kur Mersoja u zgjua në mëngjes, e kuptoi se Maria kishte dalë. 2 aromën e kripës: një ditë më parë, Mersoja dhe Marie Kardona kishin shkuar në det. 3 te Çeleste: është emri i restorantit ku Mersoja e ka zakon të shkojë të hajë. 4 kur ishte mamaja: kohët foljore të përdorura nga autori janë e pakryera dhe e kryera; e ka përdorur shumë rrallë të kryerën e thjeshtë. Nga ana psikologjike, këto kohë e sjellin mospërfilljen dhe distancimin në anonimatin e një narratori për të cilin të gjitha ngjarjet kanë një shtrirje aktuale që vazhdon ende (e pakryera) ose një raport psikologjik me të tashmen (e kryera). Personazhi i Mersosë është i ndërtuar me heshtje dhe me fjalë, sepse sipas Kamysë, njeriu që nuk mendon për asgjë është një njeri që u përgjigjet pyetjeve që i bëjnë. Zakonet, monotonia, mospërfillja, duket se i kanë hequr çdo aftësi për të reaguar përballë ngjarjeve, të favorshme ose të disfavorshme. Mersoja në ballkon63
                                
   59   60   61   62   63   64   65   66   67   68   69