Page 67 - Demo
P. 67
vazhdonin të qeshnin, por kohë pas kohe dukeshin të lodhur e ëndërrues. Ata qëndruan në rrugë duke bërë ecejake në trotuarin përballë. Vajzat e lagjes kokëzbuluar, ishin kapur për krahu. Djemtë lëviznin në mënyrë që të kryqëzoheshin me to, i ngacmonin e ato qeshnin duke kthyer kokën prapa. Shumë prej tyre, që i njihja, ma bënë me shenjë. Dritat e rrugës u ndezën përnjëherësh dhe zbehën ndriçimin e yjeve të para të natës që ngjiteshin lart. Ndjeva se sytë më ishin lodhur nga pamja e trotuareve të ngarkuara me njerëz e drita. Kalldrëmi i lagur shkëlqente nën dritën e llampave dhe tramvajet lëshonin me rregullsi reflekse mbi flokë të ndritshëm, mbi një buzëqeshje apo një byzylyk argjendi. Pak më vonë, tramvajet u rralluan më shumë, nata u bë më e errët sipër pemëve dhe llampave, lagjja u zbraz dalëngadalë derisa maçoku i parë kapërceu lehtë rrugën përsëri të shkretë. Atëherë mendova se duhej të haja darkë. Më dhimbte pak qafa pasi kisha qëndruar gjatë mbështetur mbi shpinën e karriges. Zbrita të blej bukë dhe makarona, gatova dhe hëngra në këmbë. Desha të pi një cigare pranë dritares, por ajri ishte freskuar dhe pata pak ftohtë. Mbylla dritaret dhe, kur po kaloja para pasqyrës, vura re në një cep të tavolinës llampën me alkool pranë copave të bukës. Po mendoja, kaloi dhe kjo e diel, mamaja ishte varrosur, unë do të rifilloja punën dhe tek e fundit, asgjë s’kishte ndryshuar7. [Alber Kamy, I huaji, përktheu Rajmonda Vuçini, 1991, f. 29-33]7 asgjë s’kishte ndryshuar: këtu del tema e kapitjes dhe e tëhuajtjes: një soditje indiferente e absurdit. Protagonisti-kronist i romanit, Mersoja është një i mërguar në mbretërinë e shfaqjeve, i humbur në ekzistencën e tij, por i vendosur për të ruajtur lirinë e tij. Tëhuajtja konfigurohet si një gjendje objektive, i huaji ndërgjegjësohet për gjendjen e tij. Ai është në kontakt me dukuritë, kohën, futet brenda botës, plot siguri negative, tërësisht e qëllimisht pa drejtim dhe orientim: u ofrohet ndjesive. Narracioni nuk futet në botën e brendshme të personazhit. Vdekja e nënës shihet si një aksident i jashtëm dhe absurd që thyen për një moment zinxhirin e gjesteve të përditshme dhe të gjërave të nevojshme.65

