Page 80 - Demo
P. 80
Letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX (1900-1944)PËRFAQËSUESIT KRYESORË DHE VEPRAT E TYRE Isa Boletini duke hyrë në Vlorë më 28 nëntor 1912, ditën e shpalljes së pavarësisë Ahmet ZoguKushtet historike e shoqërore në gjysmën e parë të shekullit XXLetërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX u zhvillua në një mjedis gjithmonë e më të favorshëm për të. Ngjarje të rëndësishme për historinë e shqiptarëve ndodhën pikërisht në këtë periudhë. Kryengritjet e vazhdueshme të shqiptarëve, përpjekjet e ideologëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, si dhe një sërë rrethanash ndërkombëtare çuan, më në fund, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Për fat të keq, njohja ndërkombëtare e shtetit të ri shqiptar u bë e cunguar dhe vetëm për gjysmën e territorit dhe të popullsisë shqiptare. Lufta e Parë Botërore (1914-1920) dhe sidomos pushtimi i Shqipërisë prej Italisë (1939-1943) u bënë dy ngjarje me pasoja të rëndësishme për shqiptarët. Ndërmjet këtyre ngjarjeve, për rreth dy dekada, shteti shqiptar njohu zhvillime të hovshme dhe mjaft intensive: që nga përpjekjet për hedhjen e bazave të shtetit, krijimin e konsolidimin e institucioneve, deri te kryengritja dhe lëvizja revolucionare (qershor 1924) e më pas te shpallja e mbretërisë shqiptare, me në krye mbretin Ahmet Zogu I (1928) etj. Krijimi i shtetit shqiptar dhe politikat shtetërore që u ndoqën, çuan në konsolidimin e arsimit shqip dhe në rritjen graduale të shkallës së alfabetizimit të shoqërisë shqiptare. Kjo do të ndikonte në rritjen e numrit të lexuesve të veprave që botoheshin në gjuhën shqipe. U themeluan shtëpi botuese dhe tipografi brenda territorit shqiptar (më herët ato kishin ekzistuar në qendra të rëndësishme kulturore jashtë Shqipërisë, si në Sofje, Bukuresht, Itali, Kroaci etj.). U ngrit rrjeti i librarive dhe i bibliotekave në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. U rrit gjithashtu tirazhi i botimeve të letërsisë shqipe. Nisën të lulëzojnë, tanimë edhe brenda Shqipërisë, revista të rëndësishme kulturore e artistike, si: “Hylli i Dritës”, “LEKA”, “Kritika” etj., ashtu si edhe klube e rrethe letrare, të cilat nxisnin e mbështesnin zhvillimet e letërsisë në Shqipëri.78

