Page 170 - Demo
P. 170
NDIKIMI I SHKRIMTARËVE NGA FOLKLORI Fragment nga romani “Kush e solli Doruntinën”1.Megjithëse, për shkak të së ftohtës njerëzit lëviznin më pak, për çudi, thashethemnaja vraponte po aq shpejt, sa edhe në kohë të ngrohtë. Madje dukej sikur, e mpirë midis së ftohtës dimërore, ashtu e kristaltë dhe rrëzëllore siç ishte, ndryshe nga thashethemnajat e verës, ajo udhëtonte tani më e sigurt, pa u rrezikuar të përçudnohej si ato nga zabullima1, trullosja e mendjeve dhe shkurdisja e nervave. Megjithatë, kjo, s’do të thoshte aspak se ajo nuk ndryshonte, fryhej, merrte dritë apo murrëtohej çdo ditë gjatë përhapjes së saj. Dhe, sikur të mos mjaftoheshin me këtë, njerëzit thoshin: po prit, ka edhe gjëra të tjera edhe më të thella. O Zot, ç’do të na dëgjojnë veshët, psherëtinin të tjerët ndërsa largoheshin. Të gjithë prisnim mbledhjen e madhe ku do të shkoqitej një për një kjo histori. Flitej se në të do të vinin shumë fisnikë nga gjithë krahinat, madje edhe nga principatat e tjera të Arbrit. Kishte zëra se do të vinin në mbledhje dinjitarë të lartë të kishës, që nga Bizanti, madje mund të merrte udhë e të vinte vetë Patriarku.Sepse, ndryshe nga ç’mendohej gjer tani, puna paskësh shkuar tepër larg. Ka shkuar lajmi gjer në kryeqytetin botëror të fesë ortodokse, në Kostandinopojë, dhe dihet se atje për këto gjëra s’të falin kurrë. Janë shqetësuar zyrtarët e lartë të fesë, madje thonë se edhe vetë perandori e ka marrë vesh dhe ka qëndruar një natë pa gjumë. Sepse puna paskësh qenë shumë më e thellë se ç’qe dukur në fillim. S’ishte halli se u shfaq apo nuk u shfaq një fantazmë, apo një shpifje e këtij lloji, nga ato që feja i ka ndëshkuar e do t’i ndëshkojë përherë në turrën e druve. Jo, këtu bëhej fjalë për diçka shumë më të madhe, diçka që, larg qoftë, trondiste themelet e fesë ortodokse. Ishte fjala për ardhjen e një “Krishti të Ri”, pupu, ule zërin, më kupton, për një “Krisht të Ri”, sepse vetëm një njeri gjer më sot është ngritur nga varri, Jezu Krishti, kurse këtu desh u bë një profanim i pafalshëm: u dyshua në gjoja ringjalljen e dikujt tjetër, pra në botën me dy Krishtër, sepse, në qoftë se sot do të pranosh që dikush tjetër bën atë që mundi të bënte Jezui, nesër do të pranosh që ky dikushi të jetë shemri2 i tij, larg qoftë.Jo më kot, Roma armike i kishte hapur veshët dhe përgjonte si do t’i vente filli kësaj historie. Me siguri, murgjit katolikë i kanë fryrë më shumë se të gjithë kësaj përralle të ringjalljes së Kostandinit, në mënyrë që të gjenin rastin t’i jepnin një goditje vdekjeprurëse fesë ortodokse duke e fajësuar për dykrishtëri, pra për një herezi të mënxyrshme. Kështu që puna paskësh vajtur thellë e më thellë, gjersa bëhej fjalë për një luftë botërore fesh. Madje kishte pëshpërima se mashtruesi që kishte sjellë Doruntinën, nuk ishte veçse një agjent i kishës së Romës, i ngarkuar me këtë mision. Të tjerë shkonin edhe më larg: flitej se edhe Doruntina vetë kishte rënë në grackën e katolikëve, duke pranuar t’u shërbente. Zot 1bulçim, ufëm, zagushi.2shemër: njeriu me të cilin hahem në një punë; ai që kërkon të ma kalojë ose të më pengojë; kundërshtar.168

