Page 172 - Demo
P. 172


                                    – Pra, ç’është besa, sipas jush, ose, më mirë sipas atij, Kostandinit?Katër shokët, ata që ishin trishtuar më tepër se kushdo nga vdekja e Kostandinit, që e kishin pasur atë më tepër se vëlla, që edhe tani pas tre vjetësh nuk e hiqnin nga goja dhe nga mendimet, aq sa kishte shume njerëz, që qysh tani i quanin “dishepujt e Kostandinit”, vështruan për së dyti njëri-tjetrin. Përse e bënte Stresi këtë pyetje?Ata nuk e kishin pranuar lehtë shoqërimin me kapitenin. Kishin pasur përherë një ftohtësi ndaj tij, qysh në gjallje të Kostandinit, por kohët e fundit, qysh se Stresi kish nisur të merrej me zbulimin e misterit të ardhjes së Doruntinës, ftohtësia erdhi e u bë e akullt, gjer në kufijtë e armiqësisë. Përpjekjet e para të Stresit për t’u afruar me ta hasën në fillim me akullsi. Mirëpo, pastaj, për çudi, e ndërruan krejt qëndrimin. S’janë të paktë edhe ata, thoshin njerëzit të dielave në kishë, janë të mençëm këta djemtë e sotëm. – Kjo është një fjalë e përdorur edhe më parë, – vazhdonte Stresi, – por kuptimi që i jepet kohët e fundit është pothuajse i ri. Unë e kam ndeshur disa herë në gjyqësitë.Ata rrinin mendueshëm. Në mbasditet dhe mbrëmjet, që Kostandini ua kishte lënë tani shkretë, kishin folur atëherë me zjarr për shumë gjëra, por biseda për besën kishte qenë një nga më të dashurat. (…)Kostandini, siç besohej se e dinte zoti shef, ishte një kundërshtues në përgjithësi, një kontestator, siç thuhej tani, ashtu si edhe ata. Ai ishte kundër ligjeve, institucioneve, dekreteve, burgjeve, policisë, dhe gjyqeve. Ai thoshte: të gjitha këto janë ligje të detyrueshme, që bien mbi njeriun nga jashtë, si breshëri, prandaj duhet të zhduken e të zëvendësohen me ligje të tjera, të brendshme, që të jenë në vetë njeriun. Dhe me këtë nuk kuptonte diçka thjesht shpirtërore, që lihej vetëm me ndërgjegjen, jo, s’ishte kaq ëndërrimtar sa të besonte se njerëzimi mund të qeverisej vetëm me ndërgjegje. Ai që mendonte ai, ishte diçka e kapshme, diçka, farën e së cilës ai e kishte të shpërndarë kohët e fundit aty-këtu në jetën e arbëreshëve dhe për të cilën ai thoshte se duhej të zhvillohej, të nxitej për t’u ngritur në sistem. Ishte fjala për një sistem, ku askush mos kishte nevojë për ligje të dekretuara, për gjyqe, burgje dhe polici. Natyrisht që edhe në këtë rend, do të kishte drama, vrasje dhe dhunë, por njeriu do të dënonte të tjerët dhe do të dënohej prej të tjerëve, i padetyruar prej ligjeve. Ai do të vriste apo do të lejonte të vritej, do të vetëburgosej, apo do të dilte prej burgut kur ta quante të nevojshme.Po si mund të mendohet një rend i tillë, pyeste Stresi. Ai nuk ishte diçka që përfundonte prapë te ndërgjegjja dhe që ata vetë e quanin një ëndërrim?Ata përgjigjeshin se në një botë të tillë institucionet do të zëvendësoheshin nga institucione të tjera, të padukshme, të paprekshme, por jo si diçka ëndërruese, fushë me lule, e të tilla, por të zymta e tragjike, pra, po aq me peshë si të parat, në mos më tepër. Vetëm se këto do të jenë brenda njeriut, jo si një vrasje ndërgjegjeje apo diçka e këtij lloji, por një gjë e përcaktuar mirë, një ide, një bindje, një urdhër i pranuar e i njohur prej të gjithëve, por i kryer prej secilit sipas vullnetit të vet. Pra, ishte diçka brenda njeriut, por jo e fshehtë, po e ditur prej të gjithëve, njëlloj sikur gjoksi i njeriut të ishte i tejdukshëm, dhe brenga, drama, vendimi apo lëkundjet e tij, madhështia apo mjerimi i tij, të shiheshin prej të gjithëve. 170
                                
   166   167   168   169   170   171   172   173   174   175   176