Page 173 - Demo
P. 173


                                    Ja, të tilla do të ishin këto nyja ku do të mbështetej ky rend. Besa ishte një prej tyre, ndoshta më e rëndësishmja…Ata nuk e vunë re ose bënë sikur nuk e vunë re atë përfikje dhe vazhduan t’i flitnin atij për mendimet e tjera të Kostandinit, për arsyet përse duhej bërë ky rindërtim në krejt jetën e Arbrit, arsye që lidheshin me stuhitë vigane që shihte ai në horizont, me gjendjen e vetë Arbrit, shtrënguar si në darë, midis dy feve, të Romës e të Bizantit, dhe midis dy botëve, Perëndimit dhe Lindjes. Prej përplasjes së tyre s’priteshin veçse trandje të lemerishme, për përballimin e të cilave Arbrit i duhej të krijonte mënyra mbrojtjeje. Ai duhej të krijonte nyja më të qëndrueshme se ligjet dhe institucionet “e jashtme”, domethënë ngreha të përjetshme brendapërbrenda njeriut, të paprekshme e të padukshme, pra të pashkatërrueshme. Me një fjalë, Arbri duhej të ndryshonte ligjet e veta, zyrat, burgjet, gjyqet e gjithçka tjetër, t’i bënte të tilla në mënyrë që të mund t’i merrte ato nga bota e jashtme e t’i strehonte brenda njerëzve kur të afrohej stuhia. Ai duhej ta bënte këtë, ndryshe do të fshihej nga faqja e dheut. Kështu fliste Kostandini. Dhe ai mendonte që ky riparim do të fillonte nga besa. – Ishte i rëndë, natyrisht, i padurueshëm dështimi i Kostandinit, shkelja e besës, apo jo? – pyeti Stresi.– Po, natyrisht, ishte i rëndë… Sidomos pas mallkimit të nënës… Veçse ky nuk ishte një dështim, zoti Stres… Ai arriti ta mbante besën… Pak me vonesë, sigurisht… vonesë e shkaktuar prej një arsyeje madhore… vdekjes… megjithatë ai e mbajti…– Po Doruntinën nuk e solli ai, – tha Stresi, – ju e dini këtë po aq mirë sa unë.– Për ju ndoshta nuk e solli ai. Për ne është ndryshe.– E vërteta është një për të gjithë. Doruntinën mund ta ketë sjellë kushdo, por vetëm jo ai.– Doruntinën e solli ai…– Atëherë unë ju pyes: besoni ju në ngritjen e njeriut nga varri?– Kjo është diçka e dorës së dytë… S’ka lidhje me thelbin e çështjes.– Si s’ka? Në qoftë se ju s’pranoni ringjalljen e njeriut, si mund të ngulni këmbë për udhëtimin e tij me të motrën?– O, s’ka lidhje, zoti Stres… Është diçka e dorës së dytë. Kryesorja është që Doruntinën e solli ai.– Ndoshta është puna e dy botëve, që ne nuk po merremi vesh. – tha Stresi, ç’është ëndërr në njërën, mund të jetë zhgjëndërr në tjetrën, apo jo?– Ndoshta… ndoshta…Ndërkaq trazimi i përgjithshëm në pragun e mbledhjes së madhe vazhdonte. Si gjethet e verdha përpara stuhisë, vraponin, rrotulloheshin në erë, binin e ngriheshin përsëri fjalë, pandehma, parandjenja e lajme të pabesueshme. Kasnecë e lajmës, herë të pluhurosur e herë të zbardhur nga borima shfaqeshin kahmos. Megjithatë askush s’e dinte ende ditën e mbledhjes. Disa e prisnin përpara e disa pas… kërshëndellave. Kujtesa për këto të fundit i bënte ta humbnin toruan fare. Mendonin se s’ishte e rastit që Zoti e kishte vënë këtë ngjarje pranë javës së shenjtë. Donte me sa dukej t’i vinte edhe një herë në provë shpirtrat e tyre, t’i mundonte, t’i sfiliste krejt, për kushedi ç’mëkate të kahershme.171
                                
   167   168   169   170   171   172   173   174   175   176   177