Page 176 - Demo
P. 176
Personazhet, mjediset dhe konfliktet në Ciklin e KreshnikëveMuji kujdeset për mbarëvajtjen e familjes: përpiqet të mbajë të paprekur nderin e së motrës dhe të gruas: kujdeset t’i gjejë nuse të vëllait, t’i mësojë të birit artin luftarak dhe ta bëjë kreshnik si veten. Me njerëzit e shtëpisë sillet si malësor; nuk e lë të shoqen të baj vaj në konak, kur i jep lajmin e vdekjes së djalit; e quan si fyerjen më të turpshme t’i mbetet gruaja në duart e kundërshtarit.Gjithashtu si malësor Muji pret e përcjell agajt, i mbledh në kuvend sa herë që ka ndonjë çështje të rëndësishme për të biseduar, i dëgjon me vëmendje në bisedat që bëjnë, por edhe i kritikon ashpër, kur e teprojnë me lëvdatat e tyre, kur nuk u bien pas miqve a shokëve që u mbeten në Krajli.Vëllai i kreshnikut, Halili është njëkohësisht shok armësh, i guximshëm dhe besnik. Në vijën e zakonshme, ai i shtrohet autoritetit të vëllait, nuk ia bën fjalën dy, qoftë për punët që i ngarkon brenda shtëpisë, qoftë kur i kërkon të dalë “për me çetue në bjeshkë” a për luftime në Krajli. Të dy vëllezërit gjenden gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në krye të çetës që udhëheqin në luftime, në gjah apo kur dalin në kuvend. Kur Halili ndodhet në rrezik, zihet rob e burgoset, Muji rend menjëherë në ndihmë të tij. Kështu vepron edhe Halili ndaj Mujit.Një personazh i Ciklit, i cili qëndron më vete dhe haset vetëm në një rapsodi, është Gjergj Elez Alia. Ky personazh është protagonisti i rapsodisë me të njëjtin titull, e cila gjithashtu qëndron më vete. Besohet se kjo rapsodi mund të ketë qenë pjesë e një Eposi më vete, i cili ka humbur në rrjedhën e shekujve. Vetë personazhi dhe dyluftimi i tij me bajlozin mendohet se e kanë prejardhjen nga figura e Shën Gjergjit dhe dyluftimi i tij me kuçedrën. Personazhet e Ciklit të Kreshnikëve janë në konflikt të vazhdueshëm me krajlët feudalë, madje mund të themi se krejt Cikli përshkohet nga ky konflikt.Pothuajse në çdo këngë të Ciklit të Kreshnikëve kemi nga një dyluftim, i cili në këtë epos quhet “mejdan” ose “bejleg”, midis një kreshniku dhe një sllavi ose siç quhet ndryshe në rapsoditë tona “shkiu”, pra kemi si të thuash, një protagonist i cili është “kreshniku” dhe një antagonist që është “shkiu”. Kreshniku ose kapedani që hyn në bejleg, quhet “bejlegxhi”. Bejlegxhitë dalin në mejdan përmbi një fushë të gjerë, “n’nji log të gjanë”. Formulat që përdoren për të dalë në bejleg janë: “ka ardh’ dita me u pre”, “n’mejdan me dalë”, “me lypë mejdan”. Kështu për shembull, në vargjet e rapsodisë me titull “Çika e plakut Mehmet Agë pret në mejdan Marke Lutisllavin” gjejmë të shprehura këto formula:– Ti si je Plake Mehmet Aga sot ni jav’ në mejdan kie me më dalë....– ne ni shka mejdan na ka lypësot tri ditë n’mejdan kem me i dalë.Vërejmë se të kërkuarit mejdan është i lidhur gjithashtu me caktimin e një afati, që zakonisht është një javë (si në shembullin e mësipërm). Bejlegu ka rregulla të caktuara, luftëtarët përdorin të gjitha armët njëra pas tjetrës dhe nëse asnjëri nuk vritet:...e prej kualsh ather kem me u ulë,na t’dy rrokan kem me u kapë,njani shoqin ather si ta mytim!Në këto këngë nuk kemi beteja madhështore si ato të Karlit të Madh të Francës, nuk kemi një luftë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por dyluftimet e njëpasnjëshme të krijojnë në mënyrë të pashmangshme ndjesinë e një gjendjeje lufte, tension të vazhdueshëm për sulme e kundërsulme të befasishme si nga ana e kreshnikëve, ashtu edhe nga kundërshtarët e tyre.Vështirësitë e klasifikimit të personazheve të Ciklit, vijnë si pasojë e gjurmëve të epopeve të tjera të lashta (ndër të tjera dhe ato homerike) që hasim në Këngët kreshnike.174

