Page 177 - Demo
P. 177
Figurat femërore dhe funksioni i tyreNë Ciklin e Kreshnikëve, figurat femërore zënë një vend të veçantë. Ato luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e subjekteve të këngëve. Gratë më të rëndësishme për kreshnikët, natyrisht janë nëna, motra dhe nusja. Rrëmbimi i grave të familjes ishte një akt shumë i rëndë për ta, sepse gratë e shtëpisë si nëna, motra apo gruaja janë të shenjta në psikologjinë e shqiptarit, ato janë të paprekshme.Nëna e kreshnikëve zihet ngoje me lavdi; ajo është këshilltarja dhe ndihmëtarja e nderuar e bijve të saj. Në Ciklin e Kreshnikëve, nëna e Mujit dhe e Halilit nuk na del kurrë me emër.Kësisoj, duke u lënë si të thuash “anonime”, figura e nënës së trimave lartësohet edhe më.Me vlerësimin që i bëhet kësaj figure në familjet e kreshnikëve mund të themi se në Eposin e Kreshnikëve gjenden gjurmë të shoqërisë matriarkale.Një figurë tjetër e rëndësishme femërore është Ajkuna, gruaja e Mujit dhe nëna e djalit të Mujit, Omerit. Ajkuna është një grua e fortë që i ndihmon kreshnikët. Ky personazh nuk ndërhyn në punët e burrave, por kur sheh se nuk veprohet ashtu siç duhet, kur sheh se ata zemërohen midis tyre, ajo di të ndërhyjë dhe të vendosë.Në rapsodinë e veçuar të Ciklit me titull Gjergj Elez Alia, shfaqet një tjetër personazh emblematik femëror, motra e Gjergjit, e cila përfaqëson figurën e motrës së përkushtuar që gjithë jetën e saj ia ka kushtuar kujdesit për vëllain që dergjet në shtrat.Një veçanti e Ciklit të Kreshnikëve janë të ashtuquajturat gra kreshnike. Disa prej rapsodive paraqesin figura femrash, të cilat janë trimëresha njëlloj si burrat. Ato luftojnë nëpër bejlege dhe mundin kundërshtarin, duke treguar forcë dhe trimëri të pazakontë, janë të gatshme të luftojnë deri në vdekje për të vënë në vend nderin dhe ua presin kokën kundërshtarëve pa u stepur për asnjë çast, njëlloj siç bëjnë edhe vetë kreshnikët.Rapsoditë në të cilat ndeshim këto heroina janë për shembull: Çika e plakut Emin Agë pret në mejdan Baloze Delinë, Çika e plakut Mehmet Agë pret në mejdan Marke Lutisllavin, Kuna e plakut tetdhet vjeç pret në mejdan bajlozin e detit etj. Shumica e këtyre heroinave dalin në dyluftim për të mbrojtur nderin e etërve të tyre, në rastin kur familjet nuk kanë djem dhe etërit e kanë të pamundur të luftojnë vetë, sepse janë në moshë të thyer.Rrëmbimet e “çikave”Rrëmbimet përbëjnë një dukuri të shpeshtë në rapsoditë e ciklit. Si shkak i rrëmbimeve dhe i plaçkitjeve jepet cenimi i nderit vetjak dhe i familjes së kreshnikut, por nuk janë të pakta rastet kur këto rrëmbime e grabitje kryhen thjesht për ego ose për vetëmburrje ndaj njëri-tjetrit, si për shembull, te rapsodia me titull “Zuku bajraktar”. Në këtë rapsodi, Muji i qorton kreshnikët e tjerë se nuk po marrin më vajza nga shkitë. Të qëndruarit për një kohë të gjatë pa rrëmbyer vajza ishte fyese për kreshnikët. Muji u flet kreshnikëve për një vajzë të bukur, rrëmbimin e së cilës e merr menjëherë përsipër me krenari trimi Zuku Bajraktar.Kjo është një rapsodi, e cila përmbledh pothuajse të gjitha elementet e Ciklit të Kreshnikëve: luftën për të rrëmbyer vajzat, dyluftimet, ndeshjen me armiqtë, karakterin aventuresk të subjektit, garat, krenarinë e kreshnikut dhe mburrjen e tij si njëfarë donzhuani etj.Rrëmbimet shpesh janë arsyeja e dueleve ose e bejlegëve. Ato kryhen nga të dyja palët, si nga shkitë, të cilët rrëmbejnë vajzat dhe gratë e Jutbinës, ashtu edhe nga kreshnikët e Jutbinës, të cilët rrëmbejnë vajzat dhe gratë e Krajlisë. Rrëmbimet që ndodhin në kullat e kreshnikëve zakonisht kryhen natën dhe, pothuajse gjithmonë, nga ana e rrëmbyesit përdoret një mashtrim apo ndonjë mënyrë tjetër për ta çorientuar vashën që do të rrëmbehet.Rrëmbimi i çikave është ideali i kreshnikut, sepse konsiderohet si një nga trimëritë më të mëdha:Se me kenë puna për mejdan,Nuk e la çikën pa e xanë.175

