Page 224 - Demo
P. 224
Përrallat humoristike. Tipar kryesor i këtyre përrallave është karakteri humoristik e satirik. Gjithë subjektin e tyre e zhvillojnë rreth ngjarjeve e dukurive komike. Në këto përralla elementet fantastike luajnë një rol më të vogël, ndeshen më rrallë ose aspak.Prandaj, shpesh janë tregime thjesht realiste. Këtu kontradikta ndërmjet së mirës e së keqes shprehet në kontradiktën midis zgjuarsisë dhe naivitetit të njerëzve të zakonshëm, ndërmjet virtyteve e veseve të tyre, ndërmjet së drejtës e së padrejtës.Personazhe kryesore të këtyre përrallave janë: Qerosi, Nastradini, Kaçi, Qosja, Tosku dhe Mosku etj. Personazhet pozitive kryesore të këtyre përrallave janë: Qerosi, Këmbëkashta, Nastradini, Kaci. Si personazhe negative dalin njerëzit me vese (mbreti, pasaniku, kleriku). Përrallat humoristike për shkak të fakteve dhe dukurive komike janë të ngjashme edhe me anekdotat, të cilat ndërtohen mbi bazën e një fakti komik.Dallimi qëndron në strukturën e tyre: përrallat janë disa-episodike, ndërsa anekdotat një-episodike. Karakteristika të përrallave humoristike: E jashtëzakonshmja shprehet përmes gjasës apo mundësisë.Karakteri komik krijohet nga kontradikta mes përmbajtjes dhe formës, thelbit dhe dukjes.Karakteri humoristik dhe satirik del në vënien në lojë të fakteve dhe dukurive të realitetit në rrugë të ndryshme.Karakteri humoristik plekset me elemente aventurore dhe me të papriturën (të cilat janë si të rastësishme dhe më të pakta në numër).Veprimi zhvillohet në një plan më real, më tokësor.Subjekti trajton ngjarje e dukuri të jetës së përditshme dhe shprehet drejtpërsëdrejti.Personazhet janë njerëz të zakonshëm, pa fuqi të mbinatyrshme, pa mjete magjike; arma e tyre është trimëria, guximi, forca e mendjes, që në forma e me mjete të ndryshme luftojnë çdo të keqe shoqërore.Personazhet fantastike veprojnë njësoj si njerëzit e tjerë.Temat e trajtuara janë: zgjuarsia e njerëzve të thjeshtë; naiviteti ose mungesa e zgjuarsisë; dënimi i kokëfortësisë; mosbesimi i burrit ndaj gruas; dënimi i mosmirënjohjes së fëmijëve ndaj prindërve; rastësi fatlume a zgjidhje enigmash e situatash të vështira me anë të rastësisë etj.Fabulat janë tregime alegorike me personazhe kafshë a bimë. Fabulat përmbajnë të gjitha karakteristikat tipike të përrallave. Në fabula kafshët flasin, veprojnë e mendojnë njësoj si njerëzit dhe bashkë me ta. Tiparet dhe vlera e fabulës qëndrojnë në ndërlidhjen kafshë-njeri. Nëpërmjet përshkrimit të veprimeve, marrëdhënieve, bashkëbisedimeve të kafshëve e të bimëve, fabulat trajtojnë probleme që lidhen me marrëdhëniet dhe tiparet e njerëzve. Fabulat trajtojnë çështje, ide, parime morale, transmetojnë mesazhe, të cilat jepen në fund në formë moralizimi a këshille, si: “Lum kush ven (mend) në shpinë të tjerëve!”, “Po s’deshe me e ndjekë të drejtën me të mirë, ke me e ndjekë me të vështirë”, “Nuk është shpejtësia, por është qëndresa ajo që bën punë”, “Nuk vlen pamja, por vlen zemra” etj.222

